Gjykimi në Shqipëri është kthyer në një problem serioz për futbollin duke qenë se nga java në javë janë klubet e Kategorisë Superiore e ato të kategorive më të ulëta që akuzojnë arbitrat për vendime të padrejta dhe herë-herë i konsiderojnë tendencioze.

Mesa duket, problemet me gjykimin nuk janë vetëm në futbollin që ne shohim përditë por janë bërë pjesë edhe e të rinjve, të cilët po rriten të privuar jo pak nga ‘gabimet njerëzore’ të gjyqtarëve.

Në ndeshjen mes Ilirisë U19 dhe Vllaznisë U19, është akorduar një nga penalltitë më qesharake dhe ky vendim për penallti ka ardhur nga anësori i këtij takimi. Ka qenë një largim i topit në zonë nga mbrojtja e Vllaznisë, ajo e cila është konsideruar penallti nga anësori i cili ka insistuar jo pak.

Arbitri kryesor e ka konsideruar gjithçka të rregullt, ndërkohë që anësori ka kërkuar me çdo kusht që të jepet penallti, madje duke hyrë edhe në fushë dhe i është afruar shumë pranë zonës duke kërkuar penallti. Pavarësisht protestave të futbollistëve të Vllaznisë, vendimi për të dhënë penallti nuk është ndryshuar duke bërë që ‘gabimet njerëzore’ të arbitrave, të godasin edhe futbollin e të rinjve.

Ndoshta na duket çudi kur shohim gabime në Superiore dhe në të Parën, por niveli amator te moshat është skandaloz dhe padyshim që dikush duhet të mbajë përgjegjësi, ashtu siç mbahet kur preken interesat e FSHF-së. /VipSport/