Sikur të mos mjaftonin problemet e lindura ditët e fundit për disiplinën në skuadër, tek Vllaznia ka dalë në skenë një problem tjetër. Ekipi i parë i Vllaznisë ka mbetur pa portierë. Të dy ruajtësit e saj të portës janë dëmtuar dhe nuk do të jenë në gjendje të luajnë këtë javë, por ndoshta edhe më tej.

Alen Sherrit i ka dalë një problem serioz në këmbën e tij të majtë dhe për rrjedhojë e ka tashmë në allçi teksa mjekët i kanë thënë se për 4 javë nuk do mundet të luajë.Ai është paraqitur dje në stërvitje duke ecur me paterica dhe është parë të bisedojë gjatë me mjekun Çoba, drejtorin sportiv Firat dhe pjestarët e stafit teknik.

Po ashtu edhe portieri tjetër Selimaj ka një dëmtime edhe ai dhe për dy javë nuk është i gatshëm për lojë.Në këto kushte, stafi teknik i ekipit “ka rënë në pikë të hallit” dhe zgjidhja duket se do të jetë marrja e portierit nga ekipi U19, pikërisht e Kristi Qarrit për të mbrojtur portën e Vllaznisë në ndeshjen e së dielës ndaj Erzenit.

Jo vetëm kaq. “Epidemia” e portierëve tek Vllaznia ka kapur edhe ato të moshave. Kështu, portieri i U17 Tomas Kiri prej kohësh është i dëmtuar dhe po ashtu edhe ai i ekipit U19 Tomas Kiri.

Se si do ta zgjidhin këtë problem drejtuesit kuqeblu vështirë të gjendet pasi të shtunën luan “Vllaznia B” ndërsa të dielën ekipet e Akademisë Vllaznia dhe ekipi i parë.
© shkodrasport.com