Pas fitores me Flamurtarin në Vlorë, trajneri Armando Cungu ka pohuar se ishte një sukses shumë i vështirë dhe shumë i rëndësishëm. Ai ka pohuar po ashtu se zgjedhjet e tij për formacionin ishin të kushtëzuara nga gjendja e Cuculit.

Trajneri Cungu u shpreh gjithashtu se deklarata e presidentit Safet Gjici se “për trajnerin nuk ka më justifikime” nuk e shqetëson aspak:
“Nuk mund të parashikosh kohën. Duhet të djersish shumë, është një kampionat i vështirë. Ishim të bindur se do të ishte e vështirë për ne ndaj Flamurtarit, sepse ata luajnë në fushën e tyre, pavarësisht se ka problematikat e veta.

E rëndësishme është që morëm tri pikët, edhe pse me një lojë jo brilante. Nuk jam aspak në vështirësi për formacionin. Te Kukësi zbret në fushë ai që ka gjendjen momentale më të mirë. Kukësi është një ekip që pretendon dhe duhen lojtarë që luftojnë.

Vendosja? Isha i kushtëzuar nga gjendja shëndetësore e Cuculit, i cili ka qenë me ethe natën dhe me temperaturë. U ktheva në identitet, sepse kundërshtari,e dhe me erën në favor, na vuri në vështirësi. Kërkoi topin e gjatë dhe na duhej një forcë më tepër në mbrojtje, duke menduar kundërsulmin për të ndëshkuar. Mundësitë na u dhanë dhe mund të shënonim golin e tretë.

Të gjithë e njohin presidentin Gjici për ambiciet që ka. Ai kërkon maksimumin dhe unë kam ardhur për të dhënë maksimumin. Besoj se e kam bërë maksimumin. Nuk janë justifikime disa gjëra, por realitete. Jemi i vetmi ekip pa fushë dhe duam të arrijmë objektivin tonë. Lojtarët kanë potencial dhe Kukësi, me 7 vjet në Superiore, ka objektiva madhorë. Nuk më shqetëson deklarata e presidentit Gjici, unë bëj punën time si trajner.

Kanë ardhur lojtarë cilësorë dhe ekipi është më i fortë, por në këtë moment prishen edhe ekuilibrat, sepse ti luan me një ekip për dy faza, pastaj gjërat ndryshojnë. E kam thënë se nuk jemi shtypshkronjë që të stampojmë postera. Futbolli ka logjikë tjetër. Klubi ka bërë një punë shumë të mirë dhe jam i kënaqur me merkaton”, – ka thënë trajneri i Kukësit./ Vipsport/