Në Vlorë është luajtur ndeshja e radhës e kampionatit mes Flamurtarit dhe Kukësit, e vlefshme për javën e 20-të të Superligës, që përfundoi me rezultatin 1-2. Të dy ekipet kanë pasur mungesa në këtë përballje, me Flamurtarin që i mungojnë shumë nga titullarët e fazës së dytë, disa të larguar, ndërsa Kukësin për shkak dëmtimesh.

I kanë mjaftuar 10 minuta Kukësit për të kaluar në avantazh në pjesën e parë, në sfidën kundër Flamurtarit në transfertë. Ka qenë një asist perfekt nga prapavija i Shametit, që gjuan topin në thellësi aty ku Et`hemi vrapon dhe arrin të kontrollojë.

Më pas sulmuesi i verilindorëve gjuan sipër kokës së Koliçit, i cili nxiton duke dalë para kohe nga porta. Kështu skuadra e Kukësit kalon në avantazh 1-0. Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu ka pasur mjaftë raste të tjera, me Shkurtajn që nuk arriti të finalizonte dot saktë.

Por nëse nuk shënon, do pësosh. Kështu ka ndodhur me Kukësin, pasi në minutën e 33`, një top i ardhur nga këndi, do të përfundonte në kokën e Artim Pollozhanit, i cili dërgon në shtyllën e dytë sferën. Gjithçka vendoset në barazpeshë 1-1, por vetëm për dy minuta.

Eduard Rroca ekzekuton në mënyrë perfekte një goditje dënimi, vetëm dy minuta më vonë, duke gjetur rrjetën nga një pozicion pothuajse i pamundur. Kukësi kalon sërish në avantazh 1-2, që mbetet i pandryshuar deri në fund të pjesës së parë.

Atë favor që era i bëri Kukësit në pjesën e parë, ia kthen dhe Flamurtarit në të dytën, por vlonjatët janë më të pafat.
Rifillimi i pjesës së dytë e gjen Flamurtarin më agresiv, teksa Artim Pollozhani shënon sërish në minutën e 49`, ku brenda zonës realizon një roveshatë, por arbitri anullon këtë gol, që mund të ishte dhe qershia mbi tortë e gjithë takimit.

Gjithsesi edhe pse në disavantazh, skuadra e Ilir Dajës nuk dorëzohet dhe sulmon vazhdimisht portën e kundërshtarëve, por Kukësi ka fat në një moment, pasi vetëm tranversa ndal një gol të sigurtë. Pjesa tjetër e takimit ka pasur disa episode për të dyja skuadrat, por që nuk janë shfrytëzuar si duhet nga lojatrët e të dyja ekipeve.

Me tre pikët e fituar sot në Vlorë, Kukësi ngjitet në vendin e dytë me 38 pikë në renditje, 2 më pak se Partizani që kryeson tabelën, por që ka ende një ndeshje për të luajtur. Ndërkohë Flamurtari mbetet në vendin e 6 me 29 pikë, 1 më pak se Skënderbeu që u mund sot nga Kastrioti.