Në “Loro Boriçi” nesër Vllaznia pret skuadrën e vendit të fundit në renditje, Korabin, megjithatë pjestarët e saj nuk e konsiderojnë aspak të lehtë këtë sfidë. Madje, trajneri Armando Cungu në konferencën e sotme për shtyp, ka bërë të ditur se kundërshtari është shumë i fortë dhe duhet bërë çmos për të fituar sepse është një ndeshje jetike për ecurinë e mëtejshme të kuqebluve në kampionat. “Fitorja në Vlorë ishte shumë e rëndësishme për ne, si për pozicionin ku ndodhemi të cilin me çdo kusht duhet ta mbajmë, ashtu edhe për të korigjuar gabimet që kemi bërë dhe këtu e kam fjalën për humbjen në Shkodër me Laçin. Për momentin duket se jemi në rrugën e mbarë, pak më të qetë tashmë por në futboll nuk ka kurrë qetësi. Në prag kemi një ndeshje shumë të rëndësishme të cilët duhet të luftojmë për ta fituar ndaj një skuadre që mund ta konsideroj si konkurrente siç është Korabi. Ai duhet vlerësuar sepse në gjirin e tij ka shumë lojtarë që kanë kontribuar në vite në skuadra të ndryshme dhe ne nuk e vlerëosjmë atë nga pozita ku ndodhet në tabelën e klasifikimit. Si trajner jam munduar të bëj detyrën time të largoj euforinë nga futbollistët apo idenë për të qeshur shumë pas ndeshjes së Vlorës. U kam bërë të ditur se duhet të fokusohemi tek takimi me Korabin sepse është shumë përcaktues, madje do ta quaja më deçisiven e dy fazëve të para për pozicionin ku ndodhet Vllaznia si dhe skuadrat e tjera poshtë saj. Një fitore do të thotë shumë për ne sepse do t’i largohemi përfundimisht zonës të ashtuquajtur të ftohtë dhe nomralisht duhet të tentojmë të mbajmë këtë pozicion dhe pse jo, në të ardhmen pastaj të shohim edhe për pak më lart, gjithnjë nëse është e mundur. Fitoren e nesërme prandaj do ta quaja jetike për ecurinë tonë të mëtejshme, për të lënë prapa një grup ekipesh dhe për të vazhduar më të qetë kampionatin”- është shprehur ai. Vllaznia vjen në këtë sfidë pas një fitore me shumë vlera të arritur javën e kaluar në Vlorë ndaj Flamurtarit por çuditërisht të gjithë e kanë ende në mendje zemërimin e trajnerit Cungu në pushimin dhe fundin e saj. I pyetur sërish në lidhje me këtë temë, numri 1 i pankinës shkodrane ka “zbuluar” shumë gjëra në lidhje me arsyen pse ka qenë ai i mërzitur prandaj ka thënë: “Ndoshta ka qenë hera ime e parë si trajner që pas një fitoreje të skuadrës time, nuk i jam gëzuar shumë asaj. Të jem realist për këtë gjë dhe kam vepruar kështu sepse ekipi nuk luajti mirë, sidomos në pjesën e parë ku lamë shumë për të dëshiruar. Kjo ngaqë të luash në atë mënyrë, nuk të jep garanci asnjëherë për ta fituar një ndeshje. Vllaznia jo se ia dhuroi kush fitoren sepse e shënoi me meritë atë gol, ashtu dhe siç diti ta mbrojë deri në fund. Unë isha nervoz sepse këta futbollistë që ka sot Vllaznia kanë mundësi dhe dinë të luajnë më mirë futboll. Ashtu siç të gjithë duhet ta dinë se fanella e Vllaznisë ta imponon kërkesën e llogarisë për lojëra më të mira por edhe për rezultate më të mira”. Me dibranët nesër nis një seri takimesh në fushën e saj për Vllazninë sepse më pas, do të presë po aty edhe Skënderbeun e Luftëtarin. Cungu duke folur në lidhje me këtë kalendar, është mjaftuar të thotë se fokusi duhet përqendruar totalisht tek ndeshja e rradhës. “Kalendari për ne në tre ndeshjet e ardhshme është i favorshëm me tre ndeshje në fushën tonë dhe kjo duhet shfrytëzuar patjetër por kampionati shqiptar po tregon se çdo skuadër ka ato oshilacionet e veta. Edhe Vllaznia ka treguar se mund t’i krijojë probleme çdo ekipi, ashtu si dhe ekipe të tjera dhe këtu ndalem sërish tek Laçi, na krijoi neve probleme. Për të mos na ndodhur më kështu, duhet të jemi shumë serioz dhe të fokusuar tek ndeshja e rradhës”- është shprehur tekniku i kuqebluve.

© shkodrasport.com