Përpos kupës së marrë nga Vllaznia si ekip, shkodranët kanë marrë edhe një tjetër kupë në turneun e organizuar në Kërçovë të Maqedonisë. Organizatorët kanë ndarë edhe një kupë për volejbollistin më të mirë dhe në fund, ata njëzëri kanë vendosur që kjo kupë të shkojë për lojtarin e Vllaznisë Anton Qafarena. 19 vjeçari është vlerësuar për lojën e tij dhe kjo ka bërë që të marrë edhe një vlerësim të tillë.Duke folur për mediat vendase pas këtij vlerësimi, ai ka thënë: “Mendoj se ishte një aktivitet shum i rëndësishëm ku morën pjesë ekipe të forta. Treguam se gëzojmë një formë të mirë dhe prandaj u shpallëm edhe fitues të këtij turneu. Jam i lumtur edhe për trofeun personal dhe besoj se do të jetë një nxitje më shumë për karrierën time”. Vllaznia është rikthyer në Shkodër dhe nga sot ka nisur përgatitjet për ndeshjet e kupës së Shqipërisë që do të nisin pas dy javësh. Objektivi është i qartë: për ta fituar këtë trofe megjithatë të gjithë pjestarët e saj e kanë të qartë se arritja e kësaj do të kërkojë shumë mund e saktificë.

© shkodrasport.com