Vllaznia ka arritur një fitore me shumë vlera pasditen e së mërkurës ndaj Korabit me rezultatin 3-0. Një fitore e thellë që në pamje të parë tregon se ka qenë një dominim absolut i kuqebluve në fushën e lojës por e vërteta është se ata janë treguar racionale duke shfrytëzuar mirë rastet e krijuara. ndeshja në fakt nis më mirë për dibranët të cilët që në minutën e parë arrijnë të godasin traversën e portës shkodrane me anë të Mziut. Minutat kalojnë dhe në të 23-tën, do të vinte goli i parë për Vllazninë.

Kapiteni Shtubina shfrytëzon një dalje të gabuar të portierit Vujadinoviç dhe me kokë e dërgon topin në rrjetë. Me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë. Edhe e dyta nis në të njëjtën mënyrë. Korabi nuk ka ndër mend të heqë dora kollaj nga kërkimi i pikëve dhe për këtë arsye, sheh herëpashere drejt portës së Agoviç megjithatë pa rrezikshmërinë e duhur. Gjatë kësaj pjese do të kemi edhe një ndërprerje të lojës për pak minuta për shkak të rënies së ndrimit në “Loro Boriçi” megjithatë asgjë për t’u shqetësuar sa i takon vazhdimit të saj. Ndërkohë, kuqeblutë shfrytëzojnë një tjetër mundësi që u krijohet dhe e dërgojnë topin sërish në rrjetë. Ndodh në minutën e 75-të kur Pepa fut një top të bukur nga fundorja për Bardullën që e shoqëron mirë atë, godet saktë dhe ai përfundon në trekëndëshin e portës mike. 2-0 dhe duket se këtu ndeshja përfundon. Megjithatë në minutën e parë shtesë, do të ketë edhe një tjetër gol. Kalaja bën gjithçka mirë në krahun e djathtë, pason saktë për Tafilin që shumë pranë portës, e dërgon topin në rrjetë. Këtu mbyllet gjithçka. Vllaznia fiton 3-0 dhe tashmë pret më e qetë Skënderbeun ditën e dielë për të kërkuar një tjetër fitore edhe ndaj kampionëve në fuqi të vendit.

© shkodrasport.com