Vllaznia në basketboll për meshkuj, ashtu siç pritej, ka dështuar në synimin e saj për të fituar Kupën e Shqipërisë. Ajo nuk ka arritur dot të dalë as në finale pasi është eliminuar në gjysmëfinale nga Tirana. Në fund të ndeshjes, bardheblutë kanë fituar me rezultatin 85 me 69 por duhet thënë se basketbollistët shkodranë kanë bërë një ndeshje shumë të mirë. Vllaznia në këtë takim ka patur një përbërje shumë të reduktuar dhe vetëm me 6 sportistë, ka qenë e vështirë të përballoje një skuadër si Tirana që ka një numër të madh lojtarësh në organikë. Ajo që të bën përshtypje tek ekipi shkodran është se përveç mungesave të justifikuara të Arrës dhe Shabanit, në këtë takim i ka munguar në mënyrë të papritur edhe lojtari- qendër Herion Faslija.

Shtatëlarti shkodran në mënyrë disi të çuditshme, brenda pak ditësh ka braktisur ekipin e qytetit të lindjes dhe ka zgjedhur të luajë me Teutën e Durrësit. Madje, ai është aktivizuar që në ndeshjet e kupës. Një rregull ky i çuditshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollist pasi një basketbollist erret me një skuadër dhe zgjohet me një skuadër tjetër. Gjithsesi këto janë rregullat dhe kjo është zgjedhja që Faslija ka bërë zgjedhjen e tij, natyrisht i joshur nga një ofertë më e mirë financiare që i kanë bërë durrsakët. Largimi i këtij sportisti, sigurisht që shton problemet për Vllazninë sepse është reduktuar ndjeshëm numri i lojtarëve cilësorë në dispozicion të stafit teknik, megjithatë sytë janë tashmë të përqendruar nga janari, atëherë kur priten lëvizje në merkaton e kuqebluve, siç dhe është premtuar. Kuqeblutë nuk kanë ndër mend të heqin dorë kollaj nga pretendimi i tyre për të fituar titullin e katërt kampion rradhazi dhe ndonëse nuk do ta kenë të lehtë përballë një Tirane shumë të fortë, ata sërish do të tentojnë deri në fund.

© shkodrasport.com