Tek Vllaznia të gjithë tashmë janë gati për të synuar fitoren e parë në këtë kampionat. Pjestarët e kësaj skuadre, futbollistë e trajnerë, drejtues por edhe tifozët, natyrisht që i kanë dhënë vlerësime pozitive skuadrës pas dy barazimeve të para të arritura megjithatë ato nuk mjaftojnë. Në takimin e nesërm përballë Flamurtarit në “Loro Boriçi” sigurisht që pritet vetëm fitorja. Këtë gjë në fakt kërkon edhe trajneri Armando Cungu. Në prononcimin e sotëm për mediat, pikërisht në pragndeshjen e rradhës, ai ka thënë: “Natyrisht që i ka ardhur koha arritjes së fitores së parë, madje mund të themi se jemi të vonuar megjithatë po e vlerësojmë maksimalisht këtë sfidë. Kuptohet që Flamurtari nuk është më ai i sezonit të kaluar dhe për këtë arsye, do të marrim masat tona megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk i kemi shanset dhe mundësitë për ta fituar këtë takim”. I pyetur ndërkohë për ndryshimet e mundshme në formacion, numri 1 i pankinës shkodrane e pranon se këtë herë do ketë të tilla prandaj thotë: “Një ndryshim e kemi të detyruar, atë të Gocajt që nuk është rikuperuar për këtë takim. Në vend të tij do luajë Gurishta, një lojtar që tashmë ka marrë eksperiencën e duhur për t’i shërbyer ashtu si duhet skuadrës dhe besoj se do ia dalë me sukses. Zëvendësimi tjetër ka të bëjë me Vecajn. Ky lojtar ka luajtur shumë mirë në ato minuta që e kemi futur në dy ndeshjet e kaluara dhe prandaj pse jo, duhet t’i besojmë më tepër. Këto dy zëvendësime janë menduar për momentin, por deri para ndeshjes mund të ketë edhe ndonjë tjetër”. Atmosfera rreth skuadrës në fakt ka qenë e mirë së fundi. Megjithatë, Cungu “nuk e pëlqen” një gjë të tillë sepse vëren që ka sjellë shenja vetëkënaqësie tek futbollistët. Këtë e pranon edhe publikisht kur deklaron: “Tifozët na kanë mbështetur këto ditë, madje edhe na kanë përgëzuar për dy rezultatet e arritura ndaj dy prej ekipeve pretendente për titull megjithatë unë nuk kënaqem. Nëse do t’i kishim fituar ato ndeshje dhe nuk do ishte arritur ndonjë gjë e madhe. E them këtë sepse tek futbollistët e mi kam vërejtur shenja vetëkënaqësie gjatë këtyre ditëve dhe ndoshta ata harrojnë se nuk kemi arritur asgjë deri tani. Jam munduar t’i mbaj larg zhurmës dhe opinionit sportiv në Shkodër për t’i përqendruar maksimalisht tek sfida e rradhës me Flamurtarin, për të cilën patjetër që duhet të hyjmë në fushë me objektivin e vetëm për fitore. Duhet të korigjojmë diçka në manovrën sulmuese dhe të jemi shumë rezultativë në ato raste që do të krijojmë”. Ekipi vlonjat vjen në këtë takim pas fitores 5-0 javën e kaluar me Luftëtarin. I pyetur nëse “e tremb” ky rezultat i arritur nga kundërshtari vetëm pak ditë më parë, trajneri i Vllaznisë Cungu shprehet: “Nuk dua të merrem fare me atë rezultat sepse në futboll asnjëherë një ndeshje nuk i ngjan tjetrës. Megjithatë, Flamurtari apo kushdo ta harrojnë se do të shënojnë aq kollaj gola në portën e Vllaznisë. Mbase këto ekipe duhet të tremben nga ne”.

© shkodrasport.com