Flamurtari u kujtua të luajë futboll pas 700 javësh”. Ishte kjo deklarata e Armando Cungut që solli shpërthimin e Sinan Idrizit. Administratori i vlonjatëve e përktheu këtë fjali si një kërkesë të hapur për hapje porte, ndaj edhe pret që trajneri i kurbinasve të kërkojë falje publikisht.

E megjithatë, shkodrani nuk tërheq asnjë germë nga ajo që tha dhe nuk ngurron që t’i përvishet numrit një të kuqezinjve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai qartëson se nuk është mësuar me ndere.

Ajo batutë për Flamurtarin solli një shpërthim të Idrizit. Ai e quan të turpshme deklaratën tuaj dhe pret që të kërkoni falje…

Nuk më shqetëson fare ajo që thotë zotëria. Unë i qëndroj ende asaj që thashë. Flamurtarin e kam ndjekur gjatë gjithë sezonit dhe në Laç erdhi të bënte ndeshjen e jetës. Ishin tejet të karikuar dhe shumë mirë bënë. Më bëhet qejfi, nuk e them me ironi.

Por, do të kishte qenë më e mira ta bënin nga java e parë e deri ‘ në të fundit. S’e kanë bërë në asnjë ndeshje, madje as në 3 herët e tjera që jemi përballur me njëra-tjetrën. Nuk e bënë me ne, e me askënd. Më pëlqen të luhet ndershëm dhe çdokush të japë maksimumin, si me ne dhe me gjithkënd tjetër. Bëhet futbolli më i bukur e interesant kështu, plus kthehen edhe tifozët. Këta një herë karikohen e 6 muaj të tjerë rrinë.

Idrizi e ka humbur respektin për ju, ndonëse në të shkuarën ka dashur t’ju marrë te Flamurtari. Si i përgjigjeni?

Mund t’i thoni që edhe Armando Cungu ka pasur respekt për të. Por, nëse ai e ka humbur një herë, unë e kam humbur 10 herë. Për qytetin e Vlorës, ekipin dhe tifozët e saj kurrë. Janë një emër i madh i futbollit. Ai është mendimi i tij, por ta ketë të qartë se nuk ka kërkuar kurrë në jetë Cungu që t’i hapin portën. Nuk ma kanë mësuar as si sportist e as si trajner.

Çdo gjë që e kam fituar e kam me djersë. Dhe këtë ia di për nder Zotit dhe familjes sime. Zotërisë thojini se më vjen keq që aludon dhe e mendon një gjë të tillë. Duhet të kesh kujdes shumë kur flet për emrin tim, kaq do t’i them atij dhe kujtdo. Gjithsesi, i uroj shumë suksese Flamurtarit dhe uroj që vitin tjetër t’i shohim prapë në elitë.