Në Laç nuk dëgjohet më të flitet për titullin kampion si në fillimin sezonit, pas atij starti të dobët të kampionatit. Por trajneri Armando Cungu është besimplotë se ekipi që ai ka në dispozicion mund të sfidojë si i barabartë këdo që ka përballë, duke vijuar serinë e ndeshjeve pozitive të fundit edhe me Skënderbeun, të cilin e ka vetëm 1 pikë larg në renditje.

“Jemi në një moment të mirë pas dy fitoreve bindëse me lojë dhe gola, pikë të cilat ishin jetike. Djemtë kishin nevojë për rezultate të tilla. Klima është pozitive, ka një atmosferë tjetër dhe kjo na jep shpresë që të mendojmë të vazhdojmë të mbajmë stabilitet në lojë e rezultat.

Djemtë janë kanë dëshirë tjetër në fushën e lojës, po e shprehin. Kanë vërë zemrën në fushë, jemi munduar t’i japim hapësira që të shprehen më lirshëm. Por ajo që unë ngul këmbë, shpirti duhet të jetë primar për çdo ekip në botë, nëse nuk është ai, vlerat e tjera taktike e teknike nuk kanë sukses nëse nuk merren seriozisht.

Fitorja nuk mund të them se është mision i pamundur, jo vetëm ndaj Skënderbeut, por çdo ekipi shqiptar. Ky kampionat mund të hyjë në rekorde se nuk ka diference, nuk ka ekipe të madha në letër, që krijojnë diferenca, ekipet janë aty-aty, të gjithë mund të rrihen.

Laçi i ka treguar këto vlera dhe me jep edhe mua të drejtën. Është e rëndësishme puna, por duhet të vazhdojmë në vazhdimësi se nuk ka kuptim nëse nuk tregojmë të njëjtën vlerë”, tha Cungu. /vipsport/