Armando Cungu fitoi, por me dy autogolë dhe me polemikën e një penalltie të padhënë në favor të ekipit kamzali. Shkodrani i stolit të Kukësit deklaroi pas ndeshjes se ekipi e meritoi fitoren dhe pati komplimente për mesfushorin me tipare të avancuara Arbër Çyrbja, por “i plasi” në duar çështja me sulmuesin Artur Reginaldo.

Në takimin e radhës kundër Luftëtarit, skuadra kuksiane do t’i gëzohet rikthimit të disa lojtarëve. Tekniku Cungu nuk do të jetë i detyruar që të ndryshojë skemë, pasi do të rikthehen në dispozicion Simo Rrumbullaku dhe Vangjel Zguro.

I pari kthehet nga dëmtimi i tërheqjes së muskulit, ndërsa i dyti pas skualifikimit të kartonëve që kishte në sfidën ndaj Kamzës. Në dyshim mbeten Ylli Shameti dhe Chafik Tigroudja, ndërsa Musolli është i pamundur.

Nuk dihet nëse numri një i stolit do të rrezikojë direkt me Rrumbullakun si në Krujë, apo do t’i besojë Zguros për shkak të vazhdimësisë me ekipin dhe minutave që ka patur këtë sezon. Një hall i dëshiruar prej kaq kohësh nga tekniku Cungu vështirësia e përzgjedhjes së formacionit nga konkurrenca në skuadër.

Interesante është dhe vazhdimësia e çështjes së Reginaldos, Kukësi nuk e ka luksin që ta pezullojë, pasi nuk ka sulmues tjetër. Megjithatë imazhi i klubit dhe i trajnerit nuk duhet të preket nga askush! /telesport/