Rezultatet e fundit kanë zbehur disi entuziazmin te Kukësi ku planifikonin të luftonin për titullin kampion me Partizanin por e shohin veten 8 pikë larg kryesuesve të kampionatit.

Trajneri Armando Cungu rrezikon seriozisht shkarkimin pas një situate të tillë, por ai vazhdon të besojë se lufta për titull mbetet e hapur plotësisht, duke shpresuar që edhe të kuqtë të gabojnë ashtu siç bënë verilindorët.

“Kemi qenë edhe 12 pikë larg Partizanit në 2 fazat e para dhe te gjithë thanë që kampionati ishte i mbyllur. Futbolli i tillë është, si kemi gabuar ne, mund të gabojnë edhe kundërshtarët tanë. Ne do të mundohemi të marrim maksimumin, atë që është e mundur në çdo ndeshje”, tha Cungu sot para gazetarëve.

“Llogaritë janë shumë të thjeshta për ne, kërkojmë maksimumin në çdo ndeshje, kjo është e vetmja llogari që të bëjmë. Nuk më intereson si shkojnë kundërshtarët, të bëjmë punën tonë e të marrim maksimumin për çdo sfidë. Kjo është e rëndësishme për ne”, vijoi ai.

Trajneri ka planifikuar të bëjë ndryshime në formacion, por lë gjithçka të hapur deri në momentet e fundit. “Do të shohim nesër në fushën e lojës, nuk më pëlqen të flas para, do të shohim në stërvitjen e fundit.

Edhe unë kam idetë e mia, mund të jenë edhe bashkë Rexhinaldo me Shkurtajn, e rëndësishme është që kushdo të zbresë në fushë, të japë maksimumin”, deklaroi trajneri i Kukësit. /vipsport/