Vllaznia u kualifikua për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës, por ndeshja e së martës në “Loro Boriçi” ka qenë një dramë më vehte për ata që kanë qenë të pranishëm në stadium, por edhe me mijëra të tjerë që e kanë ndjekur nga ekrani i televizionit.

Vajzat shkodrane kaluan të parat dy herë në avantazh dhe në të dy rastet u barazuan nga turket, çka bëri që ndeshja të shkonte në shtesë, ndonëse Vllaznia do të luante edhe me një futbolliste më pak për shkak të daljes me karton të kuq të Currajt.

Dhe shtesat po ashtu kanë qenë një dramë më vehte, me golin e mikeve në ‘118 dhe barazimin e Bajraktarit në të 122-të duke e çuar sfidën tek gjuajtja e 11-metërshave.

Stafi i ekipit shkodran ka përzgjedhur Megi Doçin për të gjuajtur 11-metërshin e parë dhe ajo çuditërisht ka gabuar. Themi çuditërisht sepse nuk mbahet mend gjatë karrierës së saj 10 vjeçare që ajo të ketë humbur një 11-metërsh tjetër.

Por ndodhi këtë herë në një sfidë delikate dhe Doçi ka gabuar ashtu siç kanë gabuar shumë futbollistë të mëdhenj në ndeshje përcaktuese.

Humbja e 11-metërshit nga Doçi u mendua se do ta penalizonte Vllazninë por jo sepse pas saj Franja, Bajraktari e Gjini janë treguar të sakta dhe duke përfituar nga gabimet në gjuajtje të kundërshtareve, janë kualifikuar për në turin e dytë.

E ndërsa më pas në “Loro Boriçi” ka shpërthyer festa në kampin shkodran, Megi Doçi është parë duke qarë gjatë. Dhe jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në dhomat e zhveshjes dhe pastaj edhe në rrugës në autobus.

Ajo nuk mund t’ia lejonte vetes një gabim të tillë që përpak i kushtoi skuadrës së saj dhe është ndjerë në faj, megjithatë ka marrë mbështetjen maksimale të të gjithë stafit e shoqeve të ekipit.

Megi Doçi është simboli i futbollit të femrave në Shqipëri prej vitesh dhe të gjithë i kanë sytë tek ajo. Në këtë kontekst edhe stafi i ekipit turk ALG Spor i kishte marrë masat duke e kontrolluar atë në çdo lëvizje me 2-3 veta.

Megjithatë sulmuesja e Vllaznisë ka gjetur mundësinë të japë kontributin e saj, me asistet dhe lojën që ka zhvilluar duke krijuar hapësira për shoqet e ekipit dhe si rrjedhojë Gjini i ka shfrytëzuar maksimalisht ato./SHKODRA-SPORT.COM/