Kukësi është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të ketë këtë fundjavë me Laçin në transfertë. Situata duket disi më e qetë dhe me një moral më të lartë, pas fitores në Kupë, ndonëse përballë kishin një kundërshtar modest.

Dobi po provon edhe manovrat për të marrë një rezultat pozitiv, edhe pse përballë kanë një kundërshtar që kërkon gjithashtu pikë për të dalë nga kriza. Problemi i vetëm do të jetë mungesa e lojtarit më në formë, sulmuesit Kejdi Daci, i cili u dëmtua me Labërinë. Por nga ana tjetër, Dobi mund të mbështetet te sulmuesit e tjerë, të cilët tanimë janë zhbllokuar të gjithë dhe janë një armë plus.

“SENATORËT” – Pritshmëritë për Kukësin e këtij sezoni kanë qenë dhe janë të mëdha, edhe pse nisja nuk është aty ku duhet. Jo më kot klubi kreu investime në merkato, duke afruar shumë futbollistë, të cilët do të përforconin skuadrën dhe të luftonin për trofe. Mirëpo, deri më tani shumë pak kanë treguar veten, me ekipin që ka çaluar thuajse në të gjitha repartet. Gjithsesi, peshën kryesore do ta mbanin në skuadër lojtarët që ishin më herët pjesë e saj, të paktën në këto javë të para, derisa edhe të afruarit të integroheshin si duhet me kampionatin shqiptar. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe janë pikërisht lojtarët më të vjetër në klub që nuk kanë dhënë rezultatet që priteshin deri më tani.

Mjafton të thuhet se asnjë lojtar nga “garda e vjetër” nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës, teksa katër golat e vetëm të shënuar në kampionat kanë ardhur nga Daci dhe Zivkoviç, të dy nga një dopietë. Futbollistët që janë afruar këtë merkato, me të parin që u kthye nga huazimi dhe me kroatin që në fazë përgatitore nuk bindi. Një shqetësim ky që është ngritur edhe nga vetë klubi në analizat që kanë bërë gjatë kësaj periudhe, duke kërkuar më shumë nga këta futbollistë që pritej të merrnin skuadrën për dore.

Nuk bëhet fjalë vetëm për faktin që nuk kanë shënuar, por edhe për performancën e tyre në fushë, duke sjellë më pas edhe mungesën e rezultateve në këto pesë javë. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reflektim në javët e ardhshme dhe lojtarët më të vjetër të marrin situatën në dorë apo do të vazhdojnë të zhgënjejnë sërish.