Vllaznia e ka kaluar momentin e keq ku ndodhej në fazën e tretë dhe tashmë po shfaqet një skuadër shumë solide. Përparim Daiu, ish- futbollisti i njohur i disa skuadrave në kampionatin shqiptar, por edhe i kombëtares shqiptare, ka analizuar ecurinë e saj por edhe të ekipeve të tjera në emisionin “Ora Sport” ku ka qenë i ftuar.
“Nga momenti “jo” i Vllaznisë në disa ndeshje, tashmë shoh në fushë një Vllazni të kuruar. Një skuadër e kujdesshme e cila si ndaj skuadrave pretendente ashtu edhe ndaj atyre të vendeve të fundit si Apolonia, tregohet e kujdesshme.
E përgatisin ndeshjen mjaft mirë. Në ndeshjen ndaj Apolonisë tregoi që Vllaznia po rikthehet. Nëse do të kishim një titull për skuadrën që luan futboll më bukur, kampione do të shpallej Vllaznia. Ajo ka luajtur një futboll që gjithëkujt i pëlqente.
Nëse kjo skuadër do të jetë dominante në ndeshjet direkte me ato të tjerat që pretendojnë, them se është shumë pranë fitimit të titullit kampion.
Sa i takon ekipeve të tjera, shoh një Teutë kopje të Interit. Ka një ekuilibër në mes reparteve, është shumë e kujdesshme në aspektin difensiv. Edhe Partizani e Laçi kanë pretendimet e tyre dhe do të luftojnë deri në fund për t’u shpallur kampionë”- ka deklaruar Daiu./SHKODRA-SPORT.COM/