Kemi parë që futbollistë shqiptarë kanë shënuar tregolësha në karrierën e tyre nëpër ndeshje në arenën europiane, por tregolëshi i Eduart Rrocës në takimin e fundit në Ligën e Dytë turke ishte i veçantë pasi u shënua në një hark shumë të shkurtër minutash.

Për këtë por edhe për rikthimin nga dëmtimi si dhe për ish-ekipet ku mesfushori është aktivizuar në Superiore, Rroca flet në një intervistë për “Panorama Sport”.

Rroca, si jeni? Ta nis direkt nga tripleta e djeshme, si ndiheni?

Për golat e ndeshjes së fundit ndihem shumë i lumtur sepse erdhën pas një kohe të gjatë dhe një periudhe të vështirë, por me thënë të drejtën nuk jemi shumë të gëzuar për shkak edhe të rezultatit.

Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duhej ta fitonim për objektivat që kemi.

Futbolli është i tillë, ndonjëherë kur nuk je i kujdesshëm edhe e pëson, siç shënon tre mund të pësosh katër. Kështu që e humbëm ndeshjen dhe nuk është se na la një shije fort të mirë.

Kishit realizuar më parë në karrierë një tripletë apo ishte e para?

Me sa mbaj mend, kam shënuar edhe një tripletë tjetër me Tërbunin kur kemi qenë në Kategorinë e Parë dhe mund të them që kjo ishte e dyta, por ishte e veçantë. Sepse ndodhi për 16 minuta, shumë shpejt… Po, kishte të veçantën e vet.

Erdhi shumë shpejt dhe normalisht që ndihesh shumë mirë, je i entuziazmuar sepse nuk janë gjëra që të ndodhin çdo ndeshje. Pastaj çfarë ndodhi në pjesën e dytë, na la shumë për të dëshiruar.

Këtë sezon keni humbur shumë ndeshje për shkak të dëmtimit… Periudha ime e dëmtimit ka filluar që vjet, pas ndeshjeve të “play off”-it. Mora një dëmtim të rëndë në kavilje dhe për këtë humba ato ndeshje dhe shumë të tjera të këtij sezoni. Në momentin që isha duke u rikuperuar, dëmtimet e mia u bënë zinxhir, njëri pas tjetrit.

Pse?

Pasi u rikuperova nga kavilja, pësova një dëmtim në mes dhe kjo më la pothuajse rreth një vit jashtë në një ndeshje zyrtare.

Është një periudhë e gjatë, pavarësisht se kam qenë me rikthime dhe dëmtime nuk kam qenë plotësisht gati, siç po ndihem avash-avash tani.

A e ka arritur Rroca kondicionin e duhur fizik?

Mund të them se akoma nuk jam në 100% të kondicionit tim fizik, pasi edhe në ndeshjet e fundit jam zëvendësuar rreth minutës së 70-75.

E kemi bërë edhe me program me stafin që çdo ndeshje të shtyjmë nga 5 apo 10 minuta deri sa të jem në kondicionin e duhur për 90 minuta. Por besoj që jam në rrugë të mirë duke u kthyer.

Superioren e keni ndjekur këtë sezon?

Me thënë të drejtën, nuk e kam ndjekur shumë. Për mua ka qenë një periudhë e vështirë dhe stresuese dhe nuk kam qenë i përqendruar për të parë ndeshjet e Superiores. Pastaj edhe ora këtu është ndryshe dhe kemi pasur stërvitje në orarin e ndeshjeve aty.

Por kam ndjekur pak ndeshje, më së shumti ato të Tiranës, dhe kam parë që ka vënë diktatin e vet e në fund ajo do të shpallet kampion me meritë.

Kukësi, ish-ekipi juaj, si ju është dukur?

Kukësin nuk është se e kam ndjekur, por kam parë në rrjetet sociale që shumë shpejt do të inaugurojë stadiumin e ri dhe më në fund do të rikthehet në shtëpi. Më bëhet shumë qejfi për këtë.

Luftëtari, ku ju dalluat, ju vjen keq që nuk ekziston më?

Më vjen vërtet shumë keq për Luftëtarin sepse është një ekip ku ne dolëm në dritë, jo vetëm unë, por edhe shumë lojtarë të tjerë.

Bëmë shumë për njëri-tjetrin, si Luftëtari për ne dhe ne për Luftëtarin. Duke e parë tani që është zhdukur nga harta e futbollit shqiptar është për të ardhur keq.

Shpresoj që të rikthehet sa më shpejt në Superiore, sepse aty e ka vendin, po ashtu edhe Flamurtari sepse nuk e meritojnë të qëndrojnë në këto pozicione ku ndodhen.

Ju mungon dyshja me Abazajn, kombinimet, pasi ai është i dëmtuar?

Po, është e vërtetë pasi edhe ai pësoi një dëmtim të rëndë dhe tani është drejt rikthimit.

Edhe unë tani jam rikthyer dhe shpresoj që të jemi gati të dy për në “play off” dhe, pse jo, të bëjmë ato kombinime që kemi bërë më përpara.

Shpresoj të jemi të dy të gatshëm dhe në formë të mirë e me paraqitjet tona të mundësojmë nxjerrjen e Istanbulsporit në Superligën turke./PANORAMA-SPORT/