Skuadra shkodrane ka fituar dje me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Apolonisë duke fiksuar rezultatin më të thellë deri tani në Superligën e këtij sezoni. Megjithatë, për gazetarin sportiv Bashkim Tufa, shkodranët nuk duhet ta konsiderojnë si “ndonjë arritje të madhe” këtë fitore.

Ai ka qenë pjesë e emisionit “Ora Sport” ku është ndalur edhe tek analiza e kësaj ndeshje teksa ka vlerësuar edhe disa nga të veçantat e saj.

“Ndeshja e Vllaznisë në Fier ndaj Apolonisë kishte dy të veçanta. E para, një skuadër shënoi për herë të parë këtë sezon 6 gola në një ndeshje dhe kjo është fitorja më e thellë deri më tani në këtë kampionat.

E dyta, për herë të parë shënon djali i një trajneri. Për më tepër që të dy janë të huaj dhe vështirë të përsëritet më kjo gjë në futbollin shqiptar.

Por ndërkohë unë dua të them se fitorja e Vllaznisë ishtë “e gënjeshtërt”. Nuk besoj se në Shkodër e kanë vlerësuar shumë këtë sukses. Përballë kishin skuadrën e vendit të fundit dhe për më tepër me 6 mungesa në formacion.

Këto skuadra të kenë një mungesë dhe ndikon në lojën e tyre dhe jo më gjashtë. Prandaj Vllaznia duhet të mos merret shumë me ketë ndeshje, por të mendojë për ato që do të vijnë pas saj”- është shprehur Tufa./SHKODRA-SPORT.COM/