Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, padyshim ishte i gëzuar që ekipi i tij vazhdoi serinë e fitoreve dhe për momentin e sheh veten në vendin e parë në renditje. Por tekniku i të kuqve pranoi për “SuperSport” se ishte i pakënaqur nga luhatja e përqendrimit që kishte skuadra në këtë moment kyç të sezonit, ndërsa kritikoi edhe sjelljen e Çinarit për nervozizmin në fund të sfidës.
“Më gëzon fakti që morëm tre pikët dhe vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive. Por nëse bëjmë krahasim me javën e kaluar, në aspektin taktik kemi pasur goxha probleme, sa u përket atyre që u kërkuam lojtarëve dhe çfarë bëmë, Në momentin që disa lojtarë dalin nga detyrat, përgjegjësinë e merr stafi dhe unë jam përgjegjësi kryesor. Na kënaq fitorja, por duhet të bindim e kemi vazhdimësi në përqendrim e ritëm se këto ndeshjet e fundit nuk është mirë t’i fillosh me disavantazh, edhe pse reaguam. Do të bëjmë analizë për të parë çfarë kemi bërë mirë e çfarë jo në këtë ndeshje.
Ajo që është e veçantë, përveç shënimit të golave, edhe në ndeshjen e kaluar, edhe në këtë, shkuan te goli dy lojtarët e sulmit, qoftë Zhunior, e qoftë goli i Asanit. Duhet komplimentuar edhe goli i Hakajt se bëri veprim e goditje të shpejtë që rrallë i përdor. Sot e dinim që Kastrioti do të shfaqej në dy mënyra, ose me presing lart si me Kukësin, ose poshtë. Kishim punuar dhe ajo që duhet të përmirësojmë nuk është problemi i motivimit, se lojtarët janë të motivuar se e ndjejnë që është fundi, por kanë mungesë përqendrimi në raport me ndeshjen me Bylisin.
Reagimi i Çinarit nuk është aspak i pranueshëm, çfarëdo të ketë ndodhur në fushë. Nuk i kam takuar lojtarët e jam futur në zyrën e trajnerëve dhe nuk doja që në dozë emocionale të diskutoja. Por do të ulemi gjatë se nuk i takon as Çinarit, as një lojtari tjetër që në një moment si në fitore e si në disavantazh, nuk i takon të lërë ekipin me 10 në një situatë të tillë. Edhe në aspektin e sjelljes e anës profesionale nuk janë të pranueshme për t’i bërë një lojtar i Partizanit.
Kordeiro ka pasur dëmtim në seancë stërvitore, presim përgjigje për dëmtimin. Por ne i kemi kërkuar me forcë që ata që nuk aktivizohen, duhet të mbështetin ata në fushën e lojës se vetëm me frymë grupi mund të arrijmë objektiva që në fund të sezonit ndoshta mund të jemi aty ku na takon të jemi.
Kërkuam ne pjesën ë dytë që të ulnim topin, të mos luanim me top të gjatë se ata po luanin në gjysmëfushën e tyre e nuk janë efektiv. Na ndihmoi futja e Kotes se luan në zona të vogla si dhe Hasani që në fazën ë fundit e ka në bagazhin e tij. Goli i Hakajt na dha qetësi dhe pastaj goli i Zhunior i dha ekipit shansin të kontrollonte lojën në minutat e mbetura”, tha Daja. /vipsport/