Ish-lojtari i Shqipërisë, Roland Luçi e konsideron Kombëtaren aktuale që drejtohet nga Reja, më të mirë se ajo e De Biasi, që shkoi në Europianin e vitit 2016.

Në emisionin “SportZone” në MCN TV, Luçi tha se kuqezinjtë në kualifikueset e Botërorit kanë bërë paraqitje shumë të mira, duke qenë superiorë ndaj disa kombëtareve të tjera.

“Me humbjen ndaj Polonisë, është mbyllur gjithçka dhe tani të mendojmë për edicionin e ardhshëm. Unë nuk e shikoj moshën. Në ekipin kombëtar nuk ka moshë as për trajnerin as për lojtarët. Nuk e shikoj moshën e trajnerit me syrin e kritikëve, të cilët pas një humbje, kapen te mosha e trajnerit. Reja ka arritur që me kombëtaren të eci para. Iu afrua shumë afër ‘play-off’. Arritja e suksesit është arritur nga Kombëtarja dhe Reja.

Nëse do arrinim të ishim të dytët në grup, do kishim ndeshje të tjera me ekipe shumë të forta, prandaj them se kualifikimi ishte shumë larg. Kur luaja unë futboll në vitet 80’, nuk e kishim mundësinë të luanim me ekipe si San Marino apo edhe Andorra, por tani është ndryshe. Ekipi ka pasur një paraqitje shumë më të mirë se ekipi i De Biasit që shkoi në Francë.

Këto fitore janë të gjitha me meritë. Të dyja humbjet me Poloninë, ishin aksidentale. Rezultati 4-1 gënjen, aty gaboi arbitri dhe ne. Ishin gabimet individuale që ne i humbëm të dyja ndeshjet me Poloninë.

Objektivin në 2016 e arriti Kombëtarja, por të jemi objektiv që të gjitha ndeshjet nuk i fitoi vetë Kombëtarja. Në atë edicion nuk kemi qenë superior ndaj asnjë skuadre. Ndërsa tani kemi qenë superiorë ndaj shumë skuadrave. Në Europian, shkuam falë Ballistit apo edhe dronit, përveç rezultateve.

Incidenti me tifozët më la një shije të hidhur, por duhet ta shikojmë më gjerë këtë. Kishte incident edhe më parë, nga tifozët polakë.

Kampionati në Shqipëri? Është vetëm fillimi. Vjet ka qenë kampionati shumë i bukur, disa ekipe luftuan deri në fund. Që të jetë në nivelin e vitit të kaluar, edhe ky kampionat do të ishte shumë i bukur.”, u shpreh Luçi.