Valon Ethemi dhe Kukësi nuk u ndanë mirë para një viti, pasi verilindorët pretendonin se lojtari ishte nën kontratë edhe për sezonin 2020-2021.

Largimin e Ethemit Kukësi e çoi në FIFA, pasi lojtari në janar të 2021-shit u federua te Istambulspori. Kukësi hapi gjyq në FIFA ku kërkonte nga lojtari një dëmshpërblim 200-500 mijë euro.

Dhoma e zgjidhjeve të konflikteve në FIFA ka shqyrtuar gjithë dokumentacionet e paraqitura nga palët, korrespondencën mes lojtarit dhe klubit, si dhe njoftimin që lojtari i ka bërë FSHF-së, ku e lajmëroi më gusht të 2020-ës se nuk do të rinovojë me Kukësin.

“Panorama Sport” ka mësuar se në fund FIFA e ka rrëzuar kërkesën e Kukësit, kështu që Valon Ethemi nuk do të paguajë asgjë për verilindorët.