Partizani fitoi 2-1 me përmbysje ndaj Teutës, falë dy golave të Stenio Junior dhe Tedi Carës. Suksesi i dytë sezonal në Abissnet Superiore për “Demat”, që besojnë se kjo do të jetë fitorja e kthesës.
Trajneri i ekipit kryeqytetas, Ilir Daja foli pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, duke vlerësuar karakterin e djemve të tij.
FITORJA – “Ishte një fitore e vuajtur, fitore karakteri, sidomos me Teutën që mbrohet shumë mirë, tregon që lojtarët meritojnë gjithçka. Jam shumë i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve. Kemi luajtur mirë dhe nuk kemi marrë rezultate, do isha dakord të vijojmë të luajmë keq dhe të marrim 3-pikëshin”.
SEKRETI – “Sigurisht që t’i besosh manovorës është një gjë, por mbi të gjitha është karakteri dhe mentaliteti i lojtarëve për të shkuar drejt fitores. Mentaliteti, dëshira dhe sakrifica e lojtarëve për të shkuar drejt fitores janë kryesoret”.
ASPEKTI MENTAL – “Kur je me pikë mirë, edhe nga ana psikologjike ke bonus më të madh. Marrja me patjetër e fitores dhe tensioni i tepërt, kalon në një proces frenimi që shkakton stres”.
NDESHJA – “Ne nuk kemi goditur shumë portën, por rastet tona i kemi pasur. Në këtë ndeshje fitoi sakrifica dhe dëshira e lojtarëve për të shkuar drejt fitores. Edhe fat kishim. Shpresoj që ky 3 pikësh të jetë një sinjal i mirë për fazën e dytë, por duhet të vazhdojmë me fitore”.
TIFOZËT – “Ata kanë të drejtë të protesojnë brenda rregullave, nuk kanë bërë asgjë jashtë rregullave. Na del për detyrë të rregullojmë atë që nuk kemi bërë mirë”.
PREMTIMI – “Kemi reaguar pasi kemi pësuar në fazën e parë, folëm me lojtarët që nuk duhet ta çojmë veten në këtë pozicionin, pasi është e vështirë përmbysja e ndeshjes. Sot e përmbysëm, por është merita e lojtarëve”.