Mario Dajsinani është kthyer në një nga lojtarët më të spikatur të Laçit në këto sezone. Pritjet e tij i kanë dhënë një dorë ekipit që të marrë pikë të plota në dy ndeshjet e fundit radhazi, por sipas tij, meritë ka edhe ndryshimi i trajnerit.
“Mendoj se me ardhjen e Mezanit, skuadra po luan më mirë, është më e qartë në fushën e lojës. Pikët na kanë dhënë qetësinë që na mungonte, besoj të mbyllim sa më mirë këtë vit që të jemi sa më të qetë”, tha për “Oversport” Dajsinani.
Portieri i cili pranoi se lojtari që kishte për shembull ishte Kurtua i Real Madrid, shtoi se fakti që ai ishte një ndër më të mirët në fushë, nuk e shqetësonte, edhe pse kjo do të thoshte se ekipi kishte vështirësi përballë kundërshtarëve.
“Detyra ime është të shpëtoj ekipin, të jem i gatshëm sa herë të jetë e nevojshme. Për të tjerat mendon trajneri”, deklaroi ai.