Trajneri i Vllaznisë Darko Vujaçiç pavarësisht humbjes ndaj Pejës ka mbetur përgjithësisht i kënaqur nga paraqitja e ekipit të tij në ndeshjen e Ligës Ballkanike ndaj Pejës të humbur në shifrat 87-91.
DUke folur për mediat trajneri malazez i kuqebluve është shprehur: “E kisha thënë edhe më përpara që lojtarët nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Ata kanë patur një pushim 15 ditor dhe nuk është e lehtë për të shpërndarë siç duhet ngarkesën stërvitore menjëherë. Megjithatë skuadra u përpoq për të bërë më të mirën dhe ndeshja u mbyll me vetëm 4 pikë diferencë.
Them se është një sinjal i mirë nga ekipi ynë edhe pse kemi ende shumë për të bërë, por në të njëjtën kohë kam besim tek Vllaznia për vazhdimin e sezonit.
Do të punojmë për të arritur objektivat që i kemi vënë vetes. Disiplina në ekip? Duhet dhe po e aplikoj këtë përmes formave të ndryshme. Tashmë do të rikthehen edhe ndeshjet e kampionatit dhe shpresoj që aty të nisim të bëjmë paraqitjet e duhura.
Më vjen keq për humbjen por dua të falenderoj tifozët tanë që na mbështetën edhe në këtë ndeshje dhe u premtojmë se shpejt do të vijnë edhe forca të reja të rëndësishme. Jemi duke pritur e dy basketbollistëve të tjerë që pritet të firmosin në ditët në vazhdim. Besoj se ekipi do të jetë shpejt i plotësuar, për të nisur sa më fort edhe fazën e dytë të kampionatit”.
www.shkodrasport.com