Ish-trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, ka folur së fundi për “RMC Sport”. Ai është pyetur për zhvillimet e fundit në Serinë A dhe fillimisht ka prekur temën e Udinezes, që sapo ka ndërruar trajner:

“Kam përjetuar të njëjtën situatë si Nikola, unë qëndrova vetëm dy muaj tek Udineze. Të paktën ai pati mundësinë të njihte qytetin. Kjo tregon seriozitetin e disa vendimeve që merren. Ndoshta nuk e njihnin më parë trajnerin, sa lehtë merren këto vendime…”, – ka thënë De Biazi me ironi për largimin e trajnerit Nikola nga Udineze.

Më pas, ish-trajneri i kuqezinjve ka folur edhe për Romën: “Shkarkimi i Di Françeskos është një humbje për të gjithë. Besoj se problemet te Roma janë të tjera. Ka shumë konfuzion në atë klub. Kam dëgjuar Monkin të thotë gjëra ndryshe nga ato që thotë Palota dhe kjo mjafton të kuptosh situatën brenda Romës.

Besoj se Di Françesko ishte kundër ideve të klubit. Nuk besoj se ai donte ta linte portierin apo lojtarë të tjerë të largoheshin. Triada e një klubi duhet të jetë president-drejtor sportiv-trajner. Nëse kjo treshe është e konsoliduar, ekipi fiton diçka”, – ka thënë De Biazi. / Vipsport.al