Armando Cungu, ish-trajneri i Kukësit në një prononcim të dhënë për “TV Rozafa” ka folur për largimin e teknikut Hasan Lika nga Vllaznia.

Gjithashtu, Cungu ka thënë se kjo është një situatë aspak e mirë për shoqërinë shqiptare, pasi nga vendi jonë po largohet “truri” i Shqipërisë.

Më tej, Cungu ka cekur edhe tema nëse ai mund të marrë drejtimin e Vllaznisë dhe si e shikon situatën e shkodranëve për sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.

Largimi i trajnerit Hasan Lika nga Vllaznia:

Hasan Lika ka bërë një punë shumë të mirë tek Vllaznia dhe meriton shumë respekt, por situata e tij është një hemoragji që po ndodh në shoqërinë shqiptare. Ajo që dhemb më tepër është që në vitet e para të demokracisë kanë ikur shumë njerëz, kurse në vitet e fundit po ikën truri i Shqipërisë. Kështu që unë i uroj shumë fakt dhe suksese e rrugë të mbarë. E njoh personalisht dhe e kam shumë përzemër atë. Kjo është situata shoqërore e Shqipërisë dhe duhet ta pranojmë. Gjithsesi i bën keq Vllaznisë ky largim.

A ka patur Cungu një ftesë nga Vllaznia?

Nuk kam marrë asnjë kontakt nga Vllaznia. I falënderoj shumë nëse do më kontaktojnë, por do të rri pushim. Unë isha tek Vllaznia dhe u largova për situata që ishin të vështira dhe nuk ka ndryshuar asgjë në këto situata. Kam bërë aq sa kam patur mundësi për të ndihmuar Vllazninë. Për momentin nuk e shoh të nevojshme praninë time tek Vllaznia dhe për momentin do të qetësohem pak me familjarët dhe miqtë e mi.

Vllaznia në Superiore:

Më vjen keq nëse drejtuesit e klubit nuk kanë punuar deri tani për Superiore, pasi tashmë është shumë vonë. Ata e njohim situatën më mirë se unë, por duhet të punojnë se Vllaznia ka nevojë për ndryshime rrënjësore”, është shprehur Armando Cungu./newsport/