Ish-trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, ishte i pranishëm dje në mbrëmje në stadiumin “Loro Boriçi”, ku kuqezinjtë u shpartalluan 0-4 nga Skocia. Në një prononcim të dhënë pas kësaj ndeshjeje, De Biazi është munduar ta mbrojë sadopak patriotin e tij Panuçi:

“Ishte një situatë e vështirë për trajnerin, pasi skuadra ishte në inferioritet numerik ndaj një kundërshtari që vraponte shumë. Nuk ishte aspak e lehtë, pasi mungonin disa lojtarë si Roshi, Sadiku dhe tani Hysaj. Ekipi nuk ishte i plotë dhe hasi vështirësi. Dal në mbrojtje të trajnerit, pasi bën gjithçka mundet me futbollistët që ka në dispozicion.

Nuk ka shumë për të thënë. Për fat të keq, pësuam gol që në fillim më pas luajtëm gjatë gjithë ndeshjes me 10 futbollistë. Skocia është një skuadër e fortë, me lojtarë cilësorë në përbërje dhe që ishin në gjendje shumë të mirë fizike. Ishte një ndeshje shumë më e vështirë nga sa e imagjinoja”, – tha De Biazi për “Top Chanel”./Vipsport/