“Vllaznia B” ka arritur të marrë një tjetër fitore në kampionat, këtë herë në “derbin” ndaj Adës në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Velipojë. Kuqeblutë në fakt kanë arritur të përmbysin gjithçka në pjesën e dytë pasi e para u mbyll me fitoren e vendasve.

Në minutën e 4-të është akorduar një 11-metërsh për velipojakët dhe nga pika e bardhë Arbjas Hasanaj ka qenë i saktë duke shënuar. Por ky avantazh ka zgjatur vetëm katër minuta sepse Shaba do të barazonte shifrat për Vllaznia B.

Megjithatë e njëjta situatë përsëritet edhe njëherë sepse në minutën e 17-të do të ketë një tjetër 11-metërsh dhe përsëri Hasanaj është i saktë duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke bërë që Ada ta mbyllë në avantazh pjesën e parë.

Por në pjesën e dytë gjërat kanë ndryshuar. Ekipi kuqeblu i drejtuar nga trajneri Ervis Kraja ka reaguar menjëherë dhe brenda pak minutash ka shënuar dy gola njëri pas tjetrit, me të njëjtin autor. Ka qenë sulmuesi Kamelio Palushani ai që ka dërguar topin në rrjetën kundërshtare në minutat 50 dhe 57-të.

Për të mbyllur ndeshjen do të mendonte sërish Shaba që tre minuta para fundit do të shënonte edhe golin e katërt, të dytin personal duke kompletuar kësisoj fitoren e “Vllaznia B” në shifrat 4-2. Me këtë fitore ky ekip u ngjit në kuotën e 16 pikëve duke mbajtur tashmë vendin e tretë në renditje.
© shkodrasport.com