Wednesday, April 15, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORELulzim Bërshëni: Vllaznia më shumë se skuadrat rivale ka Edi Martinin dhe...

Lulzim Bërshëni: Vllaznia më shumë se skuadrat rivale ka Edi Martinin dhe Vioresin Sinanin

Nga Greqia ku jeton prej disa vitesh, së fundmi për “Panorama Sport” ka folur Lulzim Bersheni. Në fjalët e tij, ish-fantazisti është ndalur tek ekipi i tij i zemrës, Vllaznia, duke analizuar duelin e fundit ndaj Teutës.

Ku thekson se kuqeblutë morën atë që duhej, që ishte fitorja. Shkodrani po ashtu flet edhe për garën e fortë që mendon deri në fundin e sezonit për titullin kampion. Ku tek 9 herë kampionët e vendit tregon edhe një person që bën diferencën, si edhe shpresat e mëdha që ai vetë ka për rikthimin e titullit kampion në Shkodër pas 25 vitesh.

Bersheni, sa i rëndësishëm ishte ky sukses i fundit i Vllaznisë në kampionat kundër Teutës?

Jashtëzakonisht i rëndësishëm në një moment ku jemi në javët e fundit të kampionatit. Ekipi luante në shtëpi dhe nuk duhej të gabonte dhe faktikisht nuk gaboi. Mori atë që duhej në një ndeshje me pak ritëm dhe me raste jo të shumta, ku patjetër besoj e kuptueshme. Pasi në këto momente gjitha skuadrat luajnë më mbyllur dhe jo si në fillimet e kampionatit. Tashmë të gjithë duan të arrijnë objektivat ndaj edhe loja nuk bëhet aq e këndëshme për syrin e atyre që e shohin nga jashtë.

Vlejnë më shumë pikët se loja në këto momente… 

Po, në këtë pikë të sezonit janë pikët që kanë rëndësi. Sepse të ngjisin lart në moral, por edhe në tabelë. Të mbajnë të përqendruar dhe motivuar për ndeshjet e ardhshme. Ne e dimë si luan Vllaznia dhe ka dhuruar futbollin më të bukur në kampionat. Por, tani duhen pikët dhe presion për garën patjetër të largon mendjen edhe nga loja e bukur. Megjithatë në fund llogaritë bëhen kush fitoi më shumë pikë dhe jo kush luajti edhe aq bukur.

Mund të ndikojnë dëmtimet e disa futbollistëve në këtë fund edicioni?

Vllaznia i ka vuajtur dëmtimet gjatë gjithë sezonit dhe ka ditur të rezistojë dhe zëvendësojë elementët e munguar. Unë shoh një ekip të kompletuar dhe me futbollistë që mund të japin kontribut të gjithë njësoj pavarësisht kush është në fushën e lojës. Ndoshta një mungesë e rëndësishme në këto çaste është Kastrati, të cilit i uroj shërim të shpejtë. Kjo për vetë rolin e tij në krah, një futbollist i rëndësishëm si në sulm ashtu edhe në mbrojtje për skuadrën.

Çfarë ka Vllaznia diçka më shumë se kundërshtarët ndoshta?

Ka Edi Martinin (qesh), përtej humorit, trajneri dhe Vioresin Sinani janë dy pika të forta të skuadrës. Janë njerëzit e duhur për t’a çuar Vllazninë drejt suksesit, por edhe ekipin në tërësi. Në mendimin tim, kuqeblutë kanë skuadrën më të mirë në kampionat dhe bëjnë diferencë me kundërshtarët e tjerë në Superiore.

Kush mendoni se është rivali më i fortë i kuqebluve për titulllin kampion?

Tashmë do jetë një garë shumë e ashpër deri ne fund e po ashtu në “final 4”. Diferencat mes skuadrave janë të vogla e po ashtu në renditje nuk ka hendek të madh pikësh. Ndaj them se deri në momentin e fundit do jenë 3 ekipe ne garë për titullin, ku Vllaznia them se do ketë rivalë dyshen Elbasani-Egnatia. Me ekipin e katërt që mund të jetë si Partizani apo Dinamo që i shikoj pas kësaj treshje dhe jo pretendentë për titullin kampion.

E besoni vërtetë se titulli mund të rikthehet në Shkodër?

E besoj dhe e dua si shkodran, pasi u bënë shume vite pritje e nuk duhej të ishin kaq shumë. Kësaj rradhe e shoh ekipin shume gati, me besimin e duhur se e arrin titullin kampion. Po ashtu edhe tifozët janë pranë skuadrës dhe po ashtu ishfutbollistët apo ekspertët e futbollit në qytet. Unë jam larg, por kjo frymë pozitive ndihet edhe në rrjetet sociale apo komunikimet që kemi me miqtë në Shkodër. Ndaj them se janë pjekur gjitha kushtet që skuadra të sjellë titullin e 10-të në Shkodër në fundin e edicionit.

Sa përcaktuese do jenë dy takimet e radhës në kampionat, ku do jenë dy transferta përballë Vorës dhe Elbasanit?

Vllaznia t’i marrë ndeshjet me radhë sepse ashtu shkon tek sukseset. Do jenë patjetër duele të forta e përcaktuese goxha për kreun, por tashmë s’ka ndeshje të lehta, janë të gjitha finale dhe skuadra duhet të jetë e përgatitur në maksimum. Unë kam besim tek ky ekip dhe se do jetë në krye e do arrijë të tregojë vlerat në çdo duel.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments