Polemika, tension dhe një dialog që ka ndezur debat të madh. java e fundit në Serie A ka rikthyer në qendër të vëmendjes raportin mes arbitrave dhe VAR-it, i cili po vihet gjithnjë e më shumë në diskutim. Audioja e publikuar nga komunikimi mes arbitrit Fabbri dhe dhomës VAR në Lissone gjatë ndeshjes Fiorentina-Lacio ka zbuluar prapaskena surprizuese, me interpretime të kundërta dhe vendime të kontestuara.
Një rast që rrit dyshimet për komunikimin dhe koherencën në gjykim, duke lënë përshtypjen se diçka nuk po funksionon siç duhet në sistem. Nën lupë janë vënë edhe një penallti në KomoInter dhe rastet e prekjeve me dorë nga Buonxhorno dhe Gati.
Kontakti Mandragora-Noslin, përplasje mes arbitrit dhe VAR-it
Ndeshja Fiorentina-Lacio u bë epiqendra e debatit, sidomos për penalltinë e paakorduar për Lacion pas kontaktit mes Mandragorës dhe Noslin. “E prek, por nuk është faull sepse nuk është shkelje në këmbë. Kërcen kot”, deklaroi menjëherë Fabri pas vendimit të tij. Nga VAR-i reagimi ishte ndryshe: “I jep një goditje në këmbë”.
Dialogu mes tyre vijoi:
“Ta tregojmë përsëri”, i thanë nga VAR-i. “Është shkelje apo përplasje?”, pyeti arbitri. “Është goditje në këmbë”, erdhi përgjigjja nga Lisone. Fabri e rishikoi aksionin në monitor, por nuk ndryshoi mendim: “Është kontakt me shputën, madje përpiqet të tërheqë këmbën”. Nga ana tjetër, asistenti i VAR, Aureliano këmbënguli:
“Kjo është goditje”. Arbitri kërkoi pamje në lëvizje për të vlerësuar intensitetin: “Dua ta shoh në dinamikë, jo në foto të ndalur”. Nga VAR-i erdhi kundërshtimi: “Këmbën e çon përpara, jo mbrapa”. Në fund, Fabri mbeti i vendosur: “Nuk ka forcë, nuk ka intensitet, për mua nuk është penallti”. Pavarësisht këmbënguljes së VAR-it (“Thuaji që është goditje të paktën”), arbitri konfirmoi vendimin fillestar: Asnjë penallti dhe karton i verdhë për Noslin për simulim.
Tomasi mbron Fabrin dhe kritikon VAR-in
Anëtari i CAN, Dino Tomasi, analizoi rastin duke mbështetur arbitrin: “Fabri ishte i vendosur dhe i saktë. Ishte pranë aksionit dhe bëri mirë që konfirmoi vendimin. Simulimi ishte i drejtë për ekzagjerim të kontaktit. Do të preferonim që të mos thirrej fare nga VAR-i. Vihet re një ndërhyrje e tepruar e AVAR-it, që nuk i lë hapësirë analizës së VAR-it. VAR duhet të jetë ndihmë, jo protagonisti kryesor”.
Penalltia në Komo-Inter, një tjetër debat
Edhe në ndeshjen Komo-Inter pati polemika për penalltinë e dhënë pas kontaktit mes Boni dhe Niko Paz. VAR-i u fokusua vetëm te pika e kontaktit dhe jo te natyra e faullit, duke çuar në vendimin për penallti në vend të goditjes së dënimit. Tomasi komentoi: “Arbitri fillimisht mendoi për rivënie fundore, por më pas ndryshoi vendim. Goditja në fakt ishte nga Niko Paz ndaj Boni, i cili vetëm pengon goditjen. Nuk ka pakujdesi. Gabimi i VAR-it ishte që nuk analizoi të gjithë aksionin. Duhej thirrur arbitri për rishikim në monitor, sepse ishte një gabim i qartë”.
Prekjet me dorë të Buonxhornos dhe Gatit
Në ndeshjen Parma-Napoli, nuk u dha penallti për një prekje me dorë të Buonxhornos. Arbitri vendosi menjëherë: “Topi i goditet nga afër, nuk është e dënueshme”, vendim i konfirmuar edhe nga VAR. Sipas Tomasit: “Në nivel ndërkombëtar vlerësohet nëse krahu shkon drejt topit, nëse zmadhohet hapësira apo nëse ka përfitim të drejtpërdrejtë.
Në këtë rast, vendimi ishte i drejtë dhe situata u zgjidh shpejt. Nëse do të ishte një kros nga kundërshtari, atëherë mund të konsiderohej penallti”. Në përfundim, episodet e fundit kanë rritur ndjeshëm debatet rreth funksionimit të VAR-it në Serie A, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin, ndërhyrjen dhe koherencën e tij në vendimmarrje.


