Daniele De Rosi është zyrtarisht trajner i Romës. Ish-kapiteni i verdhkuqve u prezantua sot nga klubi dhe ai u shpreh i lumtur për besimin e dhënë. Ndër të tjera, De Rosi tha se do të japë gjithçka nga vetja për përballur sfidat deri në fund.

“Do të doja të falënderoja familjen Friedkin që më besoi përgjegjësinë e drejtimit teknik të skuadrës së Romës. Nuk njoh rrugë tjetër veç asaj që përshkohet me sakrificë të përditshme dhe me nevojë për të dhënë gjithçka që kam brenda për të përballuar sfidat që na presin deri në fund të sezonit.

Emocioni i të qenit në stolin tonë është i papërshkrueshëm, të gjithë e dinë se çfarë është Roma për mua. Të gjithëve na pret një punë e madhe, nuk kemi kohë, nuk kemi zgjidhje.

Duhet të jemi konkurrues, të luftojmë për qëllimet tona dhe të përpiqemi për t’i arritur ato, sepse janë të vetmet prioritete që stafi im dhe unë i kemi dhënë vetes”, tha De Rosi në faqen zyrtare të Romës.