Vllaznia mori një fitore shumë të rëndësishme në javën e tretë të kampionatit. Shkodranët triumfuan në shifrat 1-2 kundër Tiranës në sfidën që u zhvillua ditën e premte në “Selman Stërmasi”. Sukses që jo vetëm arrihet përballë një rivali direkt, por shërben shumë edhe për moralin e skuadrës dhe ecurinë në kampionat.
Dhe kuqeblutë e drejtuar nga Mirel Josa, pavarësisht mungesave të rëndësishme si Hakaj dhe Latifi ia dolën mbanë. E për tu ndalur tek futbollisti që zëvendësoi Hakajn në duelin kundër bardhebluve, ai ishte Gerlab Smajli. Djaloshi që aktivizohet në të dy krahët e mbrojtjes dha një provë shumë pozitive kundër kryeqytetasve.
Pavarësisht se një sfidë delikate dhe hera e parë këtë sezon si titullar për Smajlin, ai ishte në formën e duhur. Tirana me krahët që i ka një pikë të fortë si me Hasanin ashtu edhe me Ismajilgecin u përballua siç duhet nga 20-vjeçari. Në këtë mënyrë duke garantuar për të ardhmen dhe pse jo të pretendojë akoma edhe më tepër.
Patjetër që lojtarë të tillë që ndoshta nuk cilësohen si titullarë “ngrohin” edhe Josen. Pasi mund të kesh besim nga kushdo që mund të zbresë në fushën e lojës dhe të japë një performancë ashtu siç e kërkon Vllaznia. E të mendosh që kur kundërshtar ke një skuadër si Tirana, vlerat e çdo futbollisti rriten në maksimum.
Endri ÇINARI