Vllaznia fitoi 2-1 kundër Tiranës, në kuadër të javës së tretë të Superiores. Ekipi shkodran nuk u duk në ditën e vet më të mirë, megjithatë ia arriti të administronte si duhet rezultatin. Edhe pse kampionët rrezikuan deri në fund, me 3 pikë dolën kuqeblutë nga stadiumi “Selman Stërmasi”.

Dora e trajnerit Mirel Josa ka nisur të ndihet te shkodranët. I emëruar para Kupave të Europës, tekniku kryeqytetas ia di mirë “hilet” kampionatit shqiptar falë eksperiencës së madhe. Ndaj Tiranës, sfida u fitua pikërisht nga Josa. Lëvizjet në fushë, vendosja e skuadrës dhe zëvendësimet i dhanë të drejtë profesorit që të paktë guxojnë ta thërrasin në emër.

Në merkaton e verës ka sugjeruar emra që kanë krijuar menjëherë përshtypje pozitive. Mjafton të përmendësh Boshnjakun dhe kupton fizionominë e lojës që dëshiron ky trajner që ka provuar edhe shijen e grupeve të Europa League me Skënderbeun e artë.

Tashmë s’mbetet gjë tjetër veçse të presim se si do të shkojë kjo Vllazni. Nën zë e pranojnë se janë kandidatë për titull, por publikisht dëshirojnë të qëndrojnë me këmbë në tokë. 3 ndeshje, 6 pikë dhe vendi i dytë momental./newsport/