Shkruar nga Gjergj KOLA
Një lajm i trishtë ka mbërritur pak minuta më parë në redaksinë e Gazeta “Shkodra Sport”. Ish- pingpongisti kampion i Vllaznisë Gëzim Pepa ka ndërruar jetë pak orë më parë në moshën 66 vjeçare. Një lajm që ka tronditur familjen, miqtë dhe shokët e tij të sportit dhe jo vetëm.
Gëzimi kishte shfaqur ditët e fundit disa probleme shëndetësore dhe ishte shtruar në spitalet e kryeqytetit, por gjendja e tij u duk se u përmirësua dhe familja e ka sjellë sërish në Shkodër, por sot krejt papritur ka pësuar një hemoragji cerebrale dhe si rrjedhojë nuk ia ka dalë ta kalojë edhe atë, duke qenë në këtë mënyrë t’u japë lamtumirën njerëzve të tij të dashur.
Po kush ishte Gëzim Pepa?
Gëzim Pepa e ka nisur karrierën herët në vitin 1974 me ekipine të rinjve të Vllaznisë dhe në vitin 1978 do të dilte kampion i Shqipërisë për të rinj edhe si invidid, por edhe me ekip në kampionatin e zhvilluar në Fier. Me pas do të bëhej pjesë e ekipit të Labinotit të Elbasanit gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në vitet 1982-1984 dhe me këtë ekip do të fitonte medaljen e artë në Spartakiadën Kombëtare dhe njëkohësisht do të shpallej edhe fitues i Kupës së Shqipërisë.
Dhe do ta mbyllte karrierën në vitin 2003 kur do të dilte sërish kampion, por këtë herë me ekipin e Vllaznisë, atëherë kur ai ishte 43 vjeç. Një tregues ky i pasionit të jashtëzakonshëm me të cilin ai e ushtronte këtë sport.
Për kontributin e tij në sportin e pingpongut, Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia e patën nderuar si “Sportist i Shekullit” me rastin e 100 vjetorit të klubit Vllaznia, ndërsa janarin e vitit të kaluar gjatë një aktiviteti të zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” u nderua me “Çertifikatë Mirënjohje” edhe nga Federata Shqiptare e Pingpongut. Njëkohësisht është vlerësuar me titullin “Raketa e Artë”.
Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Pepa për humbjen e njeriut të saj të dashur, por edhe komunitetit të sportit shkodran për ndarjen nga jeta të këtij kampioni! I përjetshëm qoftë kujtim yt Gëzim Pepa!
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


