Deçiç i Tuzit ka barazuar në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Conference League. Mbrëmjen e kaluar në Podgoricë, skuadra shqiptare e kampionatit malazez, luajti ndaj Dinamos së Minskut, teksa barazoi 1-1.

Në fakt, skuadra bjelloruse ishte vendase, por vendosi që ndeshjen ta organizojë në Podgoricë. Skuadrat bjelloruse janë urdhëruar që të luajnë në fushë neutrale dhe pa praninë e shikuesve, prandaj edhe kjo ndeshje u luajt në Podgoricë.

Stefan Denkoviç kaloi në epërsi Deçiçin në minutën e 26-të, duke e dërguar rezultatin në 0-1. Megjithatë, menjëherë në minutën e 33-të, Dinamo Minsk barazoi shifrat në 1-1, me anë të Kislyak.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, por jo vetëm kaq, pasi i tërë takimi deri në fund, nuk do të kishte gola të tjerë të realizuar nga ekipet në fushën e lojës. Ndeshja e dytë do të luhet pas një jave, po në Podgoricë.

Kujtojmë se, me Deçiç luajnë ish-futbollistët e Vllaznisë, Andrija Dragojeviç dhe mesfushori shkodran Erjon Vucaj, ndërsa dy emra të tjerë të njohur të këtij ekipi janë edhe ish-mbrojtësi i Dinamos, Aleksandar Sofranac i transferuar së fundmi dhe sulmuesi shqiptaro-malazez, Fatos Beqiraj.

Po ashtu, te Deçiç asnjëherë nuk ka munguar edhe mbështetja e presidentit Pal Dreshaj, teksa ky i fundit gjithmonë është treguar një person serioz dhe korrekt në atë që bën te ky ekip.
Maringlen ZHIVANI