Trajneri Nevil Dede, u shpreh se Teuta i habiti të gjithë me lojën e treguar ndaj Tiranës, ku durrsakët u mposhtën 2-1. Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Dede theksoi se bardheblutë e merituan fitoren, por edhe sikur durrsakët të barazonin, nuk do të vidhnin asgjë.
“Unë do të thoja që strategjia e Tiranës, ishte ta priste pak Teutën. Bardheblutë e pritën dhe e studiuan mirë. Deri në momentin e golit, Tirana nuk ishte shfaqur. Teuta e vuri në vështirësi kundërshtarin. Sot Teuta luajti ndryshe dhe i habiti të gjithë.
Tentoi të krijonte me dy mbrojtësit e qendrës. Ishte një Teutë ndryshe, prodhoi futboll. Finalizimi është shumë i dobët. Kallaku e nisi dhe e mbylli shumë mirë. Tiranës po i rriten shumë lojtarë. Behiratche po rritet, Ismajlgeci po bën rritje konstante, ashtu si Gjumsi.
Gruda mendoj se mund të meritojë më shumë minuta. Tirana e meritoi fitoren, por edhe Teuta nëse do të barazonte, nuk do të vidhte asgjë. Gjorgiev në shumë raste bënte mbrojtësin e Tiranës dhe jo sulmuesin e Teutës.”, u shpreh Dede.