Trajneri Nevil Dede, në emisionin “Skaner” në MCN TV, duke folur për humbjen 4-0 ndaj Fenerbahces, deklaroi se kjo mund të ketë qenë edhe një strategji e Tiranës, para ndeshjes në Champions League.

Sipas Dedes, problemet në mbrojtje te kampionët e Shqipërisë, janë evidente. Për sa i përket afrimeve të reja te Tirana në merkato, pavarësisht se kanë edhe 10 ditë kohë për t’u përgatitur, unë do thoja se është shpejt, për përshtatjen e prurjeve të reja.

Ndeshja me Fenerbahcen, është një test miqësor. Duhet të marrim parasysh diferencat mes dy ekipeve. Menaxhimi i kësaj ndeshje, mund të jetë bërë i tillë nga vetë trajneri Shehi. Mund të jetë edhe strategji e Tiranës, pasi mendon se kundërshtari mund ta studiojë dhe të shikojë elementët.

Megjithatë pësimi i katër golave, nuk të lë një shije të mirë. Kundërshtari e ka të lehtë, të ecë para. Ka probleme në mbrojtje dhe kjo është evidente. Në fund fare do të thoja që është vetëm një test miqësor. Ky 4-0, mund t’i bëjë lojtarët të reagojnë. Me këto 4 gola, mund të zbresin me këmbë në tokë.