Trajneri Nevil Dede, në emisionin “Skaner” në MCN TV, deklaroi se Vllaznia duhet të bënte më shumë në ndeshjen me Partizanin. Ai u shpreh se shkodranët përveç kampionatit, tani duhet të tregojnë një fytyrë tjetër, të rrisin formën, për të qenë gati për finalen e Kupës ndaj Laçit.

Vllaznia duhet të bënte pak më shumë ndaj Partizanit. Gjithsesi ka edhe disa javë. Në gjykimin tim, Vllaznia e ka në letër të lehtë ndeshjen me Skënderbeun. Shkodranët tani duhet të mendojnë për të marrë pikë.

Duhet të kenë edhe një formë në rritje, që kur të shkojnë në finale, të jetë në formë dhe pozicionin e duhur. Do jetë një luftë e fortë për vendin e tretë, mes Kukësit, Partizanit dhe Vllaznisë.

Kuqeblutë kanë më shumë mundësi për Europën, pasi ia dalin edhe nga vendi i katërt. Partizanit nuk i bën punë as vendi i katërt për të shkuar në Europë. Në gjykimin tim, diferencën mes Vllaznisë dhe Partizanit, do e bëjë se kush arrin formën më shpejt, do ecë më mirë.