Vllaznia i ka zhgënjyer të gjithë sot me paraqitjen e bërë ndaj Kukësit, ku ndonëse në superioritet numerik për rreth 60 minuta, jo vetëm që nuk arriti të fitonte, por madje është mundur me rezultatin 1-0, pas golit të shënuar nga Rashiti gjashtë minuta para fundit.

Specialisti i futbollit Nevil Dede nga studio e “Skaner” ka lëshur jo pak kritika për lojën e Vllaznisë dhe nga ana tjetër është shprehur se Kukësi nuk vodhi asgjë në këtë takim ku dolën me tre pikë shumë të vlefshme.

“Unë mendoj se sot fitorja dëshira më e madhe e futbollistëve të Kukësit. Fitoi entuziasmi i tyre, metrat e përshkruara më shumë, donin të fitonin çdo lyluftim, çdo top. Ndërsa në krahun tjetër, nëse duhet të flasësh për taktikë te Vllaznia, nuk ke se si flet sepse në gjykimin tim topi lëvizte shumë ngadalë.

Mbi të gjitha dhe që më bëri përshtypje, ishte se kishte shumë topa gabim. Një skuadër e cila duhet të justifikojë investimin e bërë, por që nuk po e bën. Për mua, Kukësi nuk vodhi asgjë, ndonëse vetëm me një kundërzbritje të rrezikshme, erdhi dhe goli i shumëpritur dhe e fitoi ndeshjen.

Vllaznia tentoi vetëm me krosime dhe nuk arriti për asnjë moment të përfitonte nga epërsia numerike dhe në fund fare është një dhimbje koke më shumë për Memellin dhe po ashtu një mburrje dhe krenari për lojtarët e Nicës dhe të Kukësit”- është shprehur Dede./SHKODRA-SPORT.COM/