Nga Endri ÇINARI

Kur kanë mbetur vetëm pak javë nga mbyllja zyrtare e sezonit të futbollit në Europë, shumë nga ekipet duket se kanë marrë rrugën e kampionit. Në një rrugë të tillë duket edhe skuadra e Deçiqit të Tuzit. Bardheblutë arritën një fitore ditën e djeshme në duelin kundër Mladost. Me shifrat 2-0 në fund të 90 minutave, Deçiq arriti të fitonte falë golave të Ljuljdjurat dhe Matic.

E tashmë kur kanë ngelur vetëm 5 javë nga fundi i kampionatit në Malin e Zi, ekipi nga Tuzi kryeson i vetëm. Në kuotën e 57 pikëve, ata lënë pas skuadrën e njohur të Buduçnost. Të cilët ndër vite e kanë dominuar kampionatin në vendin fqinj duke fituar tituj të njëpasnjëshëm. Por tashmë duket se dominanca e tyre është pranë thyerjes.

Dhe këtë po e arrin një skuadër shqiptare, që përfaqëson më së miri Malësinë dhe që po tregon kualitet në futbollin malazez. Pas disa viteve të suksesshëm, ku nga një skuadër anonime arriti të marrë pjesë në kupat e Europës. Deçiq është më afër se kurrë ëndrrës së madhe, atë të daljes kampion në Malin e Zi. Duke qenë kështu edhe përfaqësuesit më të mirë të shqipëtarëve.

Me 5 javë nga fundi, tashmë gjithçka duket shumë e mundur për ekipin e Deçiq. Ku vetëm një duel në këto raunde të mbetura mund të cilësohet i “sikletshëm”. Ai kundër Sutjeskës në javën e parafundit të kampionatit. Dhe me 3 pikë sipër Buduçnostit, ku i favorizojnë edhe ndeshjet direkte të këtij sezoni, ekipi tuzian mund të konkretizojë titullin në datën 25 maj, kur edhe mbyllet kampionati në Malin e Zi.