Nevil Dede, trajner futbolli, u shpreh se Partizani nuk bëri mirë në tërësinë e 180 minutave ndaj Vllaznisë në Kupën e Shqipërisë, ku edhe u eliminuan.

Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Dede tha se të kuqtë nuk kishin vrullin pas golit të parë, kjo për shkak të mungesës së tifozëve, ku shtoi se stadiumi dukej si një teatër.

“Lajmi është që Partizani nuk e luajti si duhet këtë tur të Kupës, bëhet fjalë për dy ndeshje. Paraqitje jo e duhur në ndeshjen e parë, e cila rezultoi vendimtare. Sot Partizani e luajti mirë si ndeshje.

Në tërësinë e 180 minutave, Partizani nuk ka bërë mirë. Nuk kishte entuziazëm pas golit të parë. Na ka mësuar se pa vrullin e duhur, nuk i bën dot ballë kundërshtarëve. Mu duk sot ai stadiumi i kuq, si një teatër i bukur, për shkak të mungesës së tifozëve.

Vllaznisë mund t’i ikte ndeshja në pjesën e parë. Pastaj u përshtat dhe Partizani mund të lëvizte më shpejt. Strategjia e Kolelës ishte e duhur, sepse me rotacionin, fitoi në pjesën e parë dhe mund të shënonte dy herë”.