Ditën e djeshme, Vllaznia ka ndarë pikët me Kukësin në një barazim pa gola, në duelin mes dy skuadrave, të cilat ndajnë edhe vendin e tretë në renditjen e Superiores.
Në fakt, pritej një duel i fortë, mes dy skuadrave, të cilat kanë pretendime për të qenë pjesë e Europës dhe mendonin deri pak javë më parë edhe për titullin kampion, por në fushën e lojës, nuk u shfaq një gjë e tillë.
Për këtë ndeshje, ka folur edhe ish-futbollisti dhe trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Hysen Dedja, i cili për “Shkodra Sport” deklaroi se për këto rezultate të shkodranëve, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
Hysen Dedja ka luajtur me skuadrën shkodrane për 17 vite (1978-1995), dhe në këtë periudhë edhe me Kombëtaren U21. Si trajner, Dedja ka provuar pankinat e 8 skuadrave në periudha të ndryshme, ndërkohë që para dy sezonesh, për disa muaj ishte në stolin e Vllaznisë.
“I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Vllaznisë. Personalisht mua, më duket një ndryshim i lojërave sivjet me të vjetshmet. Vllaznia duhet të vijonte me këto lojëra, duke pasur edhe një eksperiencë të mirë nga vjet.
Duhej të aktivizoheshin më shumë lojtarët e ri, si Çoba. Fangaj duhet të luante më shumë, Hoxha poashtu. Nikaj duhej të mbahej në Shkodër. Muliu, Paloka, Alivoda, Spahija dhe Deda duhet të aktivizoheshin më shumë. Të gjithë këta lojtarë duhet të luajnë më tepër, në mënyrë që t’i lëmë edhe një “dhuratë” Shkodrës.
Për këto rezultate, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Unë them se është gabuar edhe në merkato. Presidenti Xhaferi duhet të kërkojë llogari. Për investimin, që është bërë në skuadër, jemi komplet jashtë objektivit.
Pavarësisht se, vazhdojmë të jemi në zonën e Europës, pavarësisht se jemi në katërshe të Kupës së Shqipërisë, por mendoj vetë stafi teknik dhe drejtues, pra presidenca me stafin teknik, më duket mua personalisht, që nuk duhet të jenë të kënaqur me rezultatet dhe këto lojëra, që kanë zhvilluar, sepse nuk të japin shpresë.
Duhet të guxojmë pra që të aktivizohen këta lojtarë të ri, që përmenda më lart. Duhet të guxojmë që të aktivizojmë lojtarë që të jenë të përspektivës, edhe në qoftë se nuk janë shkodranë, të aktivizohen.
Ne nuk e kemi këtë luks, pavarësisht se kemi një president, nuk e kemi luksin të paguajmë miliona për një lojtar rezervë. Për mua, është ndër gabimet më të mëdha, që është bërë në merkato dhe duhet të mbajnë përgjegjësi dikush”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, Hysen Dedja.
Maringlen ZHIVANI