Barazimi ndaj një rivali direkt si Vllaznia shihet si një rezultat pozitiv në radhët e Kukësit, ndonëse para ndeshjes do të firmosnin për tri pikë. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i verilindorëve, Pero Pejiç, pohon se skuadra duhet të punojë më shumë në fazën sulmuese, në mënyrë që rastet e krijuara të arrijnë të konkretizohen.

Pejiç u ndal edhe te harmonia në skuadër dhe minikriza, pasi u bënë katër ndeshje që ekipi nuk merr fitoren. “Pas atyre rezultateve jo të mira në javët e fundit mund të them se jam i kënaqur me paraqitjen që bëmë së fundmi ndaj Vllaznisë.

Normalisht ne hymë në fushë për të marrë fitoren, por ishte një ndeshje e fortë dhe e vështirë. Kishim disa raste për gol, por nuk i konkretizuam dot. Tani do të punojmë më shumë me fazën sulmuese për të shkuar te goli”, u shpreh fillimisht Pejiç.

MINIKRIZA – Më tej, drejtori sportiv u ndal te minikriza e skuadrës, ku i mëshoi më shumë faktit që tani do të punojnë me sulmin për t’u zhbllokuar dhe për të shkuar te rezultatet pozitive.

“Në dy-tri ndeshje nuk kemi qenë në nivelin tonë, por unë kam besim te ky ekip dhe mendoj vetëm pozitivisht. Në janar kemi sjellë lojtarë të rinj e shumë të mirë dhe tani do të punojmë më shumë në stërvitje për të rregulluar sidomos pjesën e sulmit për të gjetur golin. Do të riparojmë disa gjëra dhe në ndeshjen tjetër do të fitojmë”, vijoi më tej Pejiç.

SITUATA ME LONGON – Sa i përket situatës në klub dhe ngjarjeve të fundit me trajnerin, Pejiç e konsideroi Longon si të duhurin për Kukësin dhe se rezultatet zhgënjyese janë faji i të gjithëve. Ai e konsideroi Kukësin si një familje.

“Në pjesën e parë të kampionatit Longo tregoi se është një trajner i mirë dhe i duhuri për ne. Ndodhin luhatjet e rezultateve dhe gabimet nuk kanë qenë të trajnerit apo të lojtarëve. Ne jemi një grup, jemi një familje dhe do t’i largohemi krizës vetëm me punë dhe unë kam shumë besim”, u shpreh Pejiç.

OBJEKTIVI – Sipas drejtorit Pejiç, Kukësi është ende brenda objektivave dhe arritja në Europë do të ishte një synim i arritur për ta. “Objektivi ynë është Europa dhe nëse ne ia dalim që të marrim pjesë, do të ishim të kënaqur. Unë jam optimist se do t’ia dalim. Megjithatë, ne për momentin shohim vetëm ndeshjen e radhës”, theksoi drejtori sportiv i Kukësit.

DINAMO – Pejiç, si ish, u ndal edhe te sfida e radhës me Dinamon, ku pohoi se do të hyjnë për të fituar. “Në çdo ndeshje ne hyjmë në fushë për ta fituar atë. Tani kemi Dinamon dhe kemi një javë për t’u përgatitur. Do përgatitemi maksimalisht për të shkuar te fitorja”, përfundoi Pero Pejiç.