Julian Ahmataj shtangu jo pak opinionin sportiv pas ndeshjes kundër Skënderbeut, aty ku deklaroi se ka paraqitur dorëheqjen e tij sepse nuk mund të vazhdohet puna në një ambient të tillë. Ahmataj nuk bëri me dije asnjë emër që e ka çuar të marrë këtë vendim, ndërkohë që siguron se faji nuk është aspak i futbollistëve sepse ata kishin bërë maksimumin në fushë.

Në lidhje me këtë çështje, askush nga Tirana nuk kishte reaguar për të dhënë detaje. “VipSport.al” ka kontaktuar me vetë presidentin Refik Halili për të marrë një informacion në lidhje me situatën e krijuar dhe duket se sot do të ketë një përgjigje përfundimtare. Diçka të tillë, e ka zbuluar Halili i cili u shpreh se ende nuk ka marrë vendim për të.

“Ende nuk kam vendosur asgjë në lidhje me çështjen Ahmataj. Sot kam qenë gjithë ditën në shtëpi dhe nuk jam marrë me këtë punë. Besoj se në orët e pasdites, do të ketë zhvillime dhe do të njoftoheni për gjithçka”, tha shkurtimisht numri një i klubit bardheblu. Qëndrimi i Ahmatajt ishte i ashpër pas ndeshjes dhe duket e pamundur që palët të vazhdojnë bashkëpunimin. /VipSport/