“Unë me të vërtetë dua që Vardari të rrëzohet nga kategoria dhe kjo është dëshira ime e madhe. Shpresoj që Shkëndija të fitojë titullin dhe Shkupi me Renovën të shkojnë në Europë”, tha mbrojtësi i Vllaznisë, Mevlan Adili në një intervistë të dhënë pak ditë më parë, e cila nuk është pritur mirë në Maqedoninë e Veriut.

Deklarata e mbrojtësit erdhi pas situatës shumë të vështirë që po kalon Vardari nga ana ekonomike. Megjithatë kjo nuk është pritur mirë nga lojtari aktual i Vardarit, Dejan Blazhevski, i cili për fjalët e Adilit tha:

“Në këtë mënyrë ju nuk merrni vëmendje. Deklarata të tilla tregojnë vlerën e ulët të një futbollisti. Unë nuk dua që Shkëndija të rrëzohet, nuk do ishte e mirë për asnjë.

Futbolli ka nevojë për klube të forta dhe është në të mirën e të gjithëve. Problemet e Vrdarit u transmetuan edhe te Shkëndija, pasi i ulën pagat lojtarëve.

Unë gjithmonë e dua Shkëndijën si kundërshtar, më pëlqente kur luaja dhe iu shënoja atyre. Është e bukur që Adili të vazhdojë të ëndërrojë. Edhe unë ëndërroj të rrëzohet Liverpuli, sepse jam tifoz i Junajtid, por kjo nuk ndodh.”, tha Blazhevski.