Përpjekjet e drejtuesve të Vllaznisë për të plotësuar skuadrën me lojtarët e duhur vazhdojnë. Ndonëse deri tani, ata nuk kanë arritur dot të bëjnë lëvizjet e duhura, sërish përpjekjet e tyre nuk reshtin. Ajo që duket qartë është se ka shumë vështirësi në këtë drejtim. Shumë lojtarë e kanë refuzuar ofertën e kuqebluve, të tjerë e kanë shfrytëzuar për “të rritur pazarin” dhe për të përfunduar në skuadra të tjera ndërkohë që me të tjerë ende është në fazën e bisedimeve por ka pak gjasa të ndodhë. Kështu, synimi I madh I kuqebluve janë Rajoviç dhe Dushku por me shumë të ngjarë të dy këta futbollistë do jetë e vështirë të shkëputen nga Flamurtari dhe Tirana. Dushku ka edhe një vit kontratë me bardheblutë siç thuhet dhe nuk do mundet të lëvizë kollaj ndërkohë që Vllaznia nuk merr përsipër pagimin e dëmshpërblimit të prishjes së kontratës. Sa për malazezin Rajoviç, edhe nëse nuk qëndron tek Flamurtari, ai mund të përfundojë në Serbi. është skuadra e Vojvodinës që e kërkon madje edhe shuma që kjo skuadër është e gatshme t’I paguajë është e konsiderueshme- 80 mijë euro. Në kushte të tilla, për mbrojtjen duket se drejtuesit e Vllaznisë duhet të kërkojnë zgjidhje të tjera. Megjithatë, dy mbrojtësit aktualë të kësaj skuadre, Kraja dhe Sykaj e kanë shprehur hapur dëshirën e tyre për të qenë në konkurrencë të hapur me lojtarët që do vijnë dhe nuk e pranojnë aspak stolin që në fillim. Në mbrojtje duket se ka vend edhe për zhurmë ngaqë mund të ketë njëfarë konkurrence ndërkohë që në mesfushë dhe sulm ka shumë më tepër probleme. Për repartin ofensiv ka jo pak dilema sepse mungojnë lojtarët ndërkohë që për mesfushën, përveç Shtubinës që mund të mbushë boshllëkun në krahun e majtë, ka vend për përforcime në qendër. Emrat më të lakuar për këtë pozicion janë dy për momentin: malazezi Ivan Deliç dhe shqiptaro- maqedonasi Nijaz Lena. Ky I fundit e ka pranuar edhe në prononcimet e tij kërkesën dhe dëshirën e drejtuesve të Vllaznisë për ta patur në skuadër por po ashtu e kërkon edhe Tirana ndërkohë që Flamurtari nuk ka dëshirë ta lëshojë. Me shumë siguri, Lena nuk do përfundojë në Shkodër. Edhe nëse nuk rinovon në Vlorë, mundësitë më të mëdha janë që ai të vishet bardheblu ashtu siç bënë edhe Çota e Muçollari më parë, lojtarë që edhe këto kërkoheshin nga Vllaznia.  Në këtë mënyrë shanset rriten për malazezin Deliç. Bisedimet me të kanë avancuar dhe ndoshta mendohet që në fillim të javës tjetër ai të firmosë. Por lajmi më I fundit që është mësuar dje, ka qenë ai I një problemi shëndetësor që mesfushori 26 vjeçar ka patur kohët e fundit. Thuhet se ai ka thyer këmbën dhe në 6 muajt e fundit ka qenë jashtë fushave të blerta. Ky mund të jetë një problem pasi Vllaznia e pësoi në të njëjtën mënyrë edhe me Brnoviç që mori në janar. Ndonëse për të thuhej që kishte luajtur edhe me kombëtaret e Serbisë dhe Malit të Zi, apo dhe me Partizanin e Beogradit, edhe ai kishte thyer këmbën kohë më parë dhe tek Vllaznia asnjëherë nuk e kapi formën e duhur sportive. Të jetë e njëjta situatë edhe me Deliç? Drejtuesit kuqeblu pikërisht për këtë, janë duke u matur mirë dhe duke pyetur jo pak për gjendjen fizike të këtij futbollisti para se të firmosin kontratën me të.
Gjergj KOLA