Ndriçim Shtubina është lakuar së fundmi si një nga përforcimet e para të Vllaznisë në merkaton e verës. Madje, këtë e ka konfirmuar edhe vetë drejtori sportiv i kuqebluve, Armir Grima. Megjithatë, e vërteta është se lojtari ende nuk ka firmosur një kontratë me shkodranët. Mesfushorin e ndajnë nga Vllaznia, as më pak e as më shumë, por 5 milionë lekë të vjetër. Shtubina pranon  se mosgjetja e akordit financiar me drejtuesit e Vllaznisë ka bërë që firma nën kontratë të mos hidhet. Ndërkohë, nga ana tjetër, lojtari duket se u bën “presion” shkodranëve, pasi ka një ofertë nga Skënderbeu.

“Kam biseduar me drejtuesit e klubit shkodran për t’u rikthyer te Vllaznia. Natyrisht, dëshira ime është që të riveshë fanellën kuqeblu dhe kjo është më se e kuptueshme. Ofertën e kam mirëpritur nga ana e drejtuesve të klubit, por arsyeja e moshedhjes së firmës nën kontratë është se ende nuk kemi arritur të gjejmë gjuhën e përbashkët në aspektin financiar. Këtu kanë mbetur punët, prandaj dhe unë nuk mund të quhem zyrtarisht pjesë e Vllaznisë. Megjithatë, jam optimist se edhe në këtë drejtim do të arrijmë të gjejmë konsensusin”, – është shprehur fillimisht Shtubina.
Ofertat – Pavarësisht se drejtuesit e klubit Vllaznia e kanë quajtur punë të mbyllur kalimin e mesfushorit, mësohet se ky i fundit është duke shqyrtuar edhe një ofertë tjetër. Vetë Shtubina shprehet se, përveç Vllaznisë, në lojë është edhe Skënderbeu për të marrë shërbimet e tij. Gjithsesi, mesfushori sqaron se me drejtuesit e klubit korçar do të bisedojë pas ndeshjeve të Ligës së Kampioneve. Më parë Shtubina ka refuzuar ofertën e Kukësit, skuadrës debutuese në Kategorinë Superiore. “Kam një ofertë konkrete nga klubi i Skënderbeut, me të cilin kam luajtur para disa sezonesh dhe ruaj ende kujtime, sepse ishte hera ime e parë që aktivizohesha në Kategorinë Superiore. Kjo ofertë nga korçarët është lënë për t’u shqyrtuar pas përfundimit të angazhimit të klubit në Ligën e Kampioneve”, – përfundon mesfushori 25-vjeçar.
Admir URUÇI