Merkatoja e Vllaznisë mund të përfshijë edhe një futbollist shkodran. Bëhet fjalë për Alsid Tafilin. Mesfushori në fjalë, e ka mbyllur sezonin e fundit duke luajtur me Lirinë e Prizrenit në Kosovë teksa ka qenë ndër lojtarët më të spikatur të këtij kampionati teksa ka shënuar edhe 10 gola për skuadrën e tij vetëm në 4 muaj aktivizim. Pas mbarimit të kampionatit, ai ndodhet me pushime në Shkodër. Në Prizren e presin sërish për të firmosur sërish kontratën e re. Në këtë qytet ka arritur të krijojë një adhurim të tifozëve sepse edhe tre sezone më parë, I dha Kupën e Kosovës Lirisë me dy golat e tij në finale ndaj Vëllaznimit të Gjakovës. Ndërkohë ai ka edhe oferta të tjera nga Superliga shqiptare megjithatë për momentin po shikon mundësinë e kthimit tek Vllaznia.

Shkodrani 24 vjeçar ka disa sezone që ka shtegtuar në skuadra të ndryshme si në Kosovë, Laç, Durrës e Greqi dhe tashmë mendon se ka ardhur momenti që kthehet tek skuadra e tij e zemrës. Në fakt, që në muajin janar, drejtori sportiv I klubit Armir Grima I pat bërë një ofertë për të filluar stërvitjen me Vllazninë por insistimi I drejtuesve të Lirisë së Prizrenit, ia ndryshuan mendjen. Tani gjërat janë përsëritur. Lojtari ka patur sërish një kontakt me Grimën për këtë çështje dhe duket se për mundësinë e veshjes kuqeblu është në dijeni edhe trajneri Duro. Madje, ky I fundit duket se është dakord që Tafilin ta ketë në skuadër. Në kushte të tilla, në ditët e ardhshme pritet edhe një takim tjetër mes palëve për të biseduar ndoshta më konkretisht për kushtet e kontratës. Vetë Tafili I pyetur rreth gjithë kësaj çfarë po ndodh, nuk ka dashur të thotë shumë gjëra. Ai është mjaftuar me pak fjalë duke thënë: “Dëshira ime është të kthehem tek Vllaznia dhe nëse merremi vesh me drejtuesit, po ta prisja me shumë dëshirë ftesën e tyre për të riveshur fanellën kuqeblu. Natyrisht është periudhë merkatoje dhe futbollistët shohin ofertat e tyre. Në Prizren duan të më kenë me çdo kusht në skuadër edhe për sezonin e ri. Po ashtu, kam edhe ndonjë ofertë tjetër nga kampionati shqiptar por para Vllaznisë unë nuk vë asnjë skuadër tjetër prandaj mbes me shpresën se gjërat do shkojnë ashtu siç duhet në ditët e ardhshme”. Për kthimin e Tafilit në Shkodër janë dakord edhe tifozët kuqeblu, ata që po hartojnë një peticion me 500 firma pikërisht për kthimin e futbollistëve shkodranë që luajnë me skuadrat e tjera. Dhe Alsidi është në krye të kësaj liste. Se çfarë do ndodhë, kjo mbetet për t’u parë. Ajo që ka rëndësi, është dëshira e mirë e të dy palëve për të konkretizuar një lëvizje të tillë. Dështimi I disa tratativave për të marrë ndonjë lojtar tjetër të kampionatit shqiptar, e bën më të domosdoshme kthimin e këtij mesfushori në Shkodër. Mënyra se si luan ai me topin, është një garanci për mesfushën megjithatë të presim se çfarë do ndodhë. Me shumë siguri, kjo çështje do marrë përgjigje Brenda pak ditësh, maksimumi deri në fund të këtij muaji sepse muajin e ardhshëm pastaj skuadra do të nisë stërvitjen.
Gjergj KOLA