Vllaznia është pranë akordit me mesfushorin malazez, Ivan Deliç. Drejtori teknik, Armir Grima ka pranuar se ka biseduar me lojtarin Deliç dhe nga kontakti i parë që ka pasur me lojtarin mësohet se ai është shprehur i gatshëm që sezonin e ardhshëm të veshë fanelën e Vllaznisë. Për “Sport Ekspres”, Grima është shprehur: “Po, është e vërtetë që kemi patur një bisedë me mesfushorin Deliç. Ashtu si me çdo lojtar tjetër jemi ulur në bisedime konkrete për të parë mundësinë e një bashkëpunimi”, ka thënë Grima. Deliç është një ndër lojtarët më të mirë në kampionatin malazez. Sapo emri i tij është lexuar tek “Sport Ekspres” është vlerësuar menjëherë nga menaxherë të ndryshëm që e njohin këtë lojtar.
Madje dhe vetë Grima ka vlerësime pozitive për këtë tratativë. “Ne sigurisht që kemi patur informacion se me cilin lojtar do të hyjmë në bisedime dhe sigurisht që ai është ndër më cilësorët në Malin e Zi. Ai luan në repartin e mesfushës dhe natyrisht do të ishte një përforcim shumë serioz për skuadrën tonë. Por do të shohim se si do të shkojnë gjërat pasi deri tani nuk kemi arritur asnjë akord zyrtar me të”, përfundoi Grima. Pavarësisht se drejtori teknik Grima shprehet se me lojtarin nuk është arritur akoma zyrtarisht akordi, nga burime pranë klubit mësohet se drejtuesit e Vllaznisë kanë biseduar në detaje me malazezin, i cili ka kërkuar edhe shumën financiare që kërkon për të ardhur në Shkodër.
Anton Zalli
Menaxheri Isufi: Është ideali për shkodranët!
Menaxheri shkodran Agron Isufi ka reaguar rreth lajmit që Vllaznia është pranë akordit me Ivan Deliç. Isufi është menaxheri që ka sjellë tek Vllaznia, lojtarë si Rajoviç apo Vujadinoviç. “Vllaznia do të bënte gabimin më të madh nëse nuk do të arrinte në një marrëveshje me mesfushorin Deliç. Për mendimin tim, do të ishte blerja më e mirë e realizuar ndonjëherë pasi personalisht ia njoh shumë mirë vlerat atij futbollisti. Deliç është mesfushori që i ka munguar prej shumë vitesh kuqebluve dhe është shumë më lart se Vujadinoviç e Rajoviç.
Vllaznia i largoi të gjithë malazezët
Skuadra shkodrane në sezonin e fundit kishte 8 futbollistë të huaj, (6 prej tyre ishin malazezë). Drejtuesit e Vllaznisë i larguan të gjithë pas përfundimit të sezonit, me përjashtim të dy portierëve, Miroslav Vujadinoviç dhe Esne Gjokoviq.
Gavrilo Petroviç – Mbrojtës
Bracan Popoviç – Mbrojtës
Nenad Bërnovic – Mesfushor
Ivan Jablan – Sulmues
Miroslav Mujadinoviç – Portier
Gordan Vuk – Sulmues
Serxho Moreno – Sulmues
Enes Gjokoviç – Portier