Të hënën pritet të mësohet emri i trajnerit të ri të Tërbunit. Kështu thonë vetë drejtuesit, që kanë qenë në kërkim të tij.
Ndërkohë, ekipi ende nuk ka nisur nga përgatitjet dhe sulmuesi Denis Çokaj, i cili shënoi sezonin që u mbyll 6 gola thotë që pavarësisht se nuk ka një datë se kur do të fillojnë seancat përgatitore, ai, por jo vetëm, po stërvitet individualisht. “Unë po stërvitem në Shkodër me ekipin U-21 të Vllaznisë.
Për këtë falënderoj trajnerin Fatjon Hasani që po punon pa u lodhur me ne. Për mua ishte kënaqësi që isha pjesë e Tërbunit që ia doli të ngjitet në Kategorinë e Parë. Ndeshjet e ‘play off’-it ishin të vështira, por ne ia dolëm me meritë. Unë si futbollist jam në pritje të rinovimit, pasi kontrata më ka mbaruar në qershor.
Jam ndier mirë te pukjanët ku nuk na ka munguar mbështetja e drejtuesve dhe presidentit Gjon Gjonaj, por edhe korrektësia financiare. Ambicia e drejtuesve është e madhe dhe do të ndërtojnë një ekip të denjë për të konkurruar, pse jo, për t’u ngjitur në Superiore. Kjo ma rrit dëshirën për të qenë pjesë e Tërbunit”, tha Çokaj.